Papa Françesku ka thënë të premten se liderët që do të marrin pjesë në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën, duhet të përgjigjen me “urgjencë” ndaj krizës klimatike.
“Politikanët që marrin vendime, të cilët do të takohen në Glasgou, duhet që me urgjencë të ofrojnë përgjigje efektive ndaj krizës ekologjike”, ka thënë Papa në një mesazh të transmetuar në radion e transmetuesit britanik, BBC.
Ai ka thënë se kjo gjë mund të ofrojë “shpresë konkrete për gjeneratat e ardhshme”.
Sipas tij, secili individ mund të luajë rol në “ndryshim të përgjigjes sonë kolektive ndaj kërcënimeve të pashembullta nga ndryshimet klimatike dhe degradimi i shtëpive tona”.
Papa ka thënë më herët gjatë këtij muaji se do t’iu bashkohet liderëve në samit, mirëpo më vonë është bërë e ditur se Vatikani do të dërgojë një delegacion në këtë organizim, në vend të Papës.
Papa Françesku pritet të takohet me disa liderë botërorë, teksa ata marrin pjesë në Samitin e 20 vendeve më të industralizuara, G20, i cili mbahet në Romë, para Samitit për Klimën.
Papa do të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden, presidentin jugkorean, Moon Jae-in dhe më pas edhe me presidentin indian, Narendra Modi.
Samiti për Klimën do të mbahet nga 31 tetori deri më 12 nëntor.