Qytetarët e Maqedonisë së Veriut druajnë se nga 1 qershori do të përballen me valë të re të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë, pasi më 31 maj skadon masa e Qeverisë për marzhën tregtare.
Kjo masë ishte vendosur më 1 mars me qëllim kufizimin e fitimit për tregtinë me shumicë për 5 për qind, si dhe 10 për qind për tregtinë me pakicë.
Sipas vendimit, që skadon të martën, produktet bazë ushqimore si buka, sheqeri, kripa, mielli, vaji, qumështi dhe produktet e tij, mishi, orizi, vezët, pastat, gruri dhe frutat e perimet shiteshin me fitime të vogla, ndërsa shumë prej tyre edhe pa Tatimin e Vlerës së Shtuar (TVSH).
“Do të jetë shumë e vështirë. Me 11 mijë denarë rrogë (180 euro) s’di si do t’ia dalim. Gjysmën e pensionit e harxhoj vetëm për ilaçe pasi në shtëpi kemi një person me invaliditet. Çfarë të bëj me pjesën tjerë të pagës, të paguaj fatura apo të blej gjërat më elementare ushqimore?! Nuk na mbetet gjë tjetër pos të hamë groshë një javë rresht”, thotë Vera, e punësuar në një kompani private.
“Nuk e kemi pritur se kështu do të ndodhë. Çmimet janë rritur shumë, s’di çfarë do të bëjmë, ia arrijmë disi të arnohemi. Shteti duhet të ndërmarrë masa që çmimet të ulen, pasi rrogat janë shumë të ulëta, janë katastrofale”, thotë Ajdini, i punësuar në ndërmarrjen e pastrimit në Shkup.
“Nuk mund të blej ushqime rezervë pasi nuk kam mundësi. Por, edhe sikur të blija, janë disa ushqime bazë, së cilave mund t’u kalojë afati i përdorimit, kështu që nuk guxojmë të rrezikojmë pasi do të mbetemi fare pa ushqime”, thotë Stojanka, pensioniste.
- Dy paga minimale të pamjaftueshme për shportën e qytetarit
- Shtrenjtimi i energjisë elektrike nxit pakënaqësi në Maqedoninë e Veriut
- Shkupi pret pasoja energjetike nga kriza në Ukrainë
Drejtuesit e institucioneve të martën nuk e kanë komentuar skadimin e vendimit për mbrojtjen e konsumatorëve nga rritja e çmimeve, por më 20 maj ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kishte bërë të ditur se pas 31 majit nuk do të ketë ngrirje të çmimeve, për shkak të pamundësisë për të ndikuar në çmimet e lëndëve të para që importohen nga jashtë.
“Ministria e Ekonomisë ka propozuar që të mos ketë ngrirje të çmimeve pasi nuk mund të ndikojmë në çmimet që kanë të bëjnë me lëndën e parë që importohen në Maqedoninë e Veriut për prodhime... Kjo do të shkaktonte probleme shtesë në tregun tonë, kështu që nuk do të ketë masa. Besoj se do të gjejmë forma të tjera të ndihmës, por kjo do të dihet me rishikimin e buxhetit”, kishte deklaruar Bekteshi.
Drejtuesit e bizneseve thonë se rritja e çmimeve do të varet nga vlerësimet që do t’i bëjnë bizneset gjendjes ekonomike, respektivisht çmimeve në tregjet e jashtme, por që do t'i kenë parasysh edhe mundësitë e konsumatorëve.
Goran Gjorgjievski, kryetar i Odës së Agrobiznesit, thotë se çmimet e disa prodhimeve janë rritur deri në 100 për qind në krahasim me periudhën para konfliktit të Ukrainë.
“Mielli sot shitet për 34 denarë kilogrami (55 centë), ndërsa më parë ishte 17 denarë (27 centë). Pra, kemi një rritje prej 100 për qind. Vaji për momentin shitet për 135 denarë për litër (2.20 euro), ndërsa më parë ishte 60 denarë (rreth 1 euro). Energjia elektrike kushtonte 60 euro për megavat orë tani është 270 euro për megavat orë".
"Kompanitë do të bëjnë vlerësime e tyre që t'i përcaktojnë çmimet, duke marrë parasysh edhe situatën e krijuar, kapacitetet apo mundësinë e konsumatorëve, rënien e standardit që çmimet të lëvizin në kuadër të një kornize të arsyeshme që të mos pësojnë as kompanitë”, ka deklaruar Gjorgjievski.
Rritje të çmimeve deri në 20 për qind paralajmërojnë nga Shoqata e biznesit të mishit dhe produkteve të tij.
“Çmimi i mishit dhe prodhimeve të mishit me siguri se do të lëvizë nga 15 deri më 20 për qind. Nuk kemi asnjë zgjidhje tjerë pasi pa ndihmën e shtetit do të jemi jokonkurrues, ose do të detyrohemi t’i mbyllim bizneset ose do ta zhvendosim në shtetet fqinje”, ka deklaruar Goce Trajçev, kryetar shoqatës.
Qeveria ka paralajmëruar se periudha në vazhdim do të jetë e vështirë, pasi bazuar në tregjet botërore pritet rritje e mëtejme e çmimeve të ushqimeve si karburanteve, rrymës dhe burimeve tjera të energjisë.
Për t’i zbutur pasojat, Qeveria ka paralajmëruar një pako të re ndihme prej rreth 80 milionë eurosh për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.
Facebook Forum