Ndërlidhjet

Pandemia pezullon projektet e reja kapitale


Foto nga punimet në Autostradën "Arbën Xhaferi". Fotografi ilustruese.
Foto nga punimet në Autostradën "Arbën Xhaferi". Fotografi ilustruese.

Të gjitha projektet e reja kapitale, të parapara në buxhetin e Kosovës për vitin 2020, janë pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Vlera e përgjithshme e projekteve të reja kapitale për këtë vit është 122,8 milionë euro, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë në detyrë të Financave dhe Transfereve. Nga vlera e përgjithshme, mbi 51,3 milionë euro ishin ndarë për nivelin qendror, kurse 71,5 për nivelin komunal.

Disa nga projektet e reja, që janë paraparë në Ligjin për Buxhet të këtij viti, përfshijnë ndërtimin e urës në rrugën nacionale N9, segmenti Pejë- Kuqishtë, programet mbështetëse të sistemit shëndetësor, ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në Komaran- Drenas, zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në Vushtrri, renovimet në objektet e Fakultetit të Mjekësisë dhe shumë renovime të tjera të objekteve të fakulteteve, por edhe projekte të shumta në infrastrukturë.

Pezullimin e projekteve të reja të parapara në buxhet, për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasnqi. Ai ka thënë se situata e krijuar me pandeminë e koronavirusit është arsyeja e pezullimit të projekteve, në mënyrë që shuma e këtyre mjeteve të shpenzohet për lehtësimin e efekteve ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi.

Projekte të reja konsiderohen vetëm ato projekte që janë paraparë për këtë vit dhe jo ato që janë duke vazhduar nga vitet e mëhershme. Vlera e përgjithshme e investimeve kapitale në buxhetin e këtij viti parashihet të jetë 624 milionë euro.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit theksojnë se pezullimi i këtyre projekteve ka qenë i domosdoshëm, në mënyrë që të gjenden fonde për stimulim apo përkrahje për bizneset që kanë pasur humbje financiare nga pandemia.

Pezullimi i projekteve, i domosdoshëm

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se këto mjete duhet të shfrytëzohen për rimëkëmbje ekonomike.

“Ne, si Odë e Afarizmit, e mbështesim këtë vendim sepse është një kohë e domosdoshme që duhet të diskutohet për buxhetin dhe ndryshimet e planit buxhetor për vitin 2020. Besojmë se këto mjete do të rialokohen për mbështetje të bizneseve dhe punëtorëve, në mënyrë që mos të ketë rënie të punësimit dhe mbështetje që bizneset sa më lehtë të përballojnë këtë krizë e cila është e rëndë, por pritet të vështirësohet edhe gjatë muajve në vazhdim”, tha Krasniqi.

Ndryshe, në një hulumtim të Institutit GAP të quajtur “Projektet e buxhetit para pandemisë COVID-19”, të publikuar ditë më parë, thuhet se “shumica e dërmuese e projekteve qendrore janë vazhdime apo obligime nga vitet e kaluara, duke lënë pak hapësirë për projekte të reja”.

Sipas këtij Instituti, rreth 90 për qind e investimeve kapitale të nivelit qendror janë vazhdimësi nga viti 2019. Në buxhetin e vitit 2020, nga 591 milionë euro të ndara për investime kapitale nga niveli qendror, rreth 450 milionë euro apo 90 për qind janë investime kapitale, që janë projekte shumëvjeçare të vazhduara nga viti 2019. Vetëm 51 milionë euro apo 10 për qind janë investime kapitale të reja që reflektojnë programin e qeverisë aktuale.

Rimëkëmbja ekonomike, sfidë për Kosovën

Rimëkëmbja ekonomike pas përfundimit të pandemisë, nga ekspertë të ekonomisë po vlerësohet sfidë për Kosovën, kur merren parasysh dëmet e paraqitura në nivel lokal dhe global.

Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga Qeveria në detyrë më 13 mars për parandalimin e pandemisë.

Deri më tani, nuk ka ndonjë shifër të saktë të humbjeve ekonomike, por sipas Ministrisë në detyrë të Financave dhe Transfereve, vlerësohet se 6 milionë euro në ditë Kosova humb për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por, përfaqësues të komunitetit të biznesit vlerësojnë se kjo vlerë është shumë më e lartë.

Për të ndihmuar veprimtarinë e bizneseve, Qeveria në detyrë e Kosovës tashmë ka filluar të zbatojë Pakon Emergjente Fiskale, në vlerë prej mbi 180 milionë eurosh. Ndërsa, ka filluar të hartojë pakon e dytë për rimëkëmbjen ekonomike në vlerë një miliard euro.

Institucionet financiare ndërkombëtare kanë miratuar kredi për Kosovën, për të mbuluar humbjet nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

Parashikimet e këtyre institucioneve për ekonominë e Kosovës, pas pandemisë nuk janë edhe të lakmueshme.

Fondi Monetar Ndërkombëtar pas pandemisë ka parashikuar që ekonomia e Kosovës të tkurret për 5 për qind.

Kurse, sipas zyrtarëve qeveritarë, për vitin 2020, parashikimi për rritje ekonomike ka qenë 4,2 për qind në terma realë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG