Përfundimi i pandemisë, stabilizimi i çmimeve dhe zhbllokimi i procesit të integrimeve, janë kërkesat kryesore të qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Shkup në prag të ndërrimit të moteve.
Për shkak tëkrizës energjetike në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, në Shkup, janë vendosur zbukurime minimale, ndërkohë që edhe shumë komuna tjera të vendit kanë vendosur që ta kursejnë energjinë duke hequr dorë nga stolisjet për të shënuar atmosferën festive me rastin e festave të fundvitit.
Naum Velkovski për Radion Evropa Lirë thotë se me vite qëndron në qendrën tregtare të Shkupit i veshur me kostumin e Babadimrit për t’i argëtuar fëmijët, por njëherësh duke përjetësuar momentet e hareshme përmes fotografisë. Ai shton se këtë vit atmosfera festive duket shumë e zbehtë.
“Nuk e di çka të them tani, masa kufizuese për ambientet e hapura nuk ka, por atmosfera është shumë e zbehtë. Nuk është ajo ndjenja festive që të shprehemi në atë mënyrë, ‘infektonte’ në konotacion pozitiv çdo njeri me ndjenjë hareje. Kjo ndjenjë mungon, pak për shkak të pandemisë, pak për shkak të krizës... Gjithçka nga pak na ka bërë të mos e ndiejmë atmosferën festive”, thotë Naum Velkovski.
Vaksinimi, rruga e vetme drejt normalizimit
Venera Gudaçi thotë për Radion Evropa e Lirë se vitin 2021 do ta mbajë mend si vit i pritjes për t’u zhdukur virusi dhe vit të përfundimit të pandemisë.
“Komplet vitin 2021 do ta mbaj mend si vit që tërë kohën disi kam qenë në pritje. Pritje se do t’i marrim vaksinat dhe do të mbarojë situata e pandemisë, megjithëse pak jam dëshpëruar se gjithçka duket se shkon rreth e rrotull...”, thotë Venera.
Nga ana tjetër, Gorica Nedellkovska, thotë se vitin 2021 do ta mbajë mend si vit të vaksinimit, megjithëse shton se pak shpresa jep edhe viti 2022, që t’i jepet fund pandemisë.
“Nuk besoj. Nuk di çka të them përderisa akoma ka njerëz që nuk besojnë në vaksinat dhe nuk imunizohemi të gjithë, vështirë se do të kthehemi në normalitetin që kishim para pandemisë”, thotë Gorica, e cila punon si shitëse në një dyqan të Shkupit.
Aktorja Xaka Jonuzi me shaka na thotë se pandemia e ka bërë jetën e çdokujt paksa teatrale.
“Vetë teatri jo rrallë na ka ndodhur këtu në shtëpi, me shumë drama, komedi dhe rrëmujë , por mirë, mirë ka qenë. Izolimi na mësoi të kalojmë kohën bashkë”, thotë Xaka Jonuzi duke shtuar se 2021 megjithatë është vit që pas vaksinave hapi organizimin e manifestimeve veçanërisht ajo shton se është e lumtur që u hap teatri.
“Sidomos muajve të fundit fatmirësisht paksa u liruam, u mbajtën shfaqje, madje morëm pjesë dhe në Festivalin e Teatrit në Gjakovë, ku shumë aktorë morëm çmime - kështu do ta mbaj mend 2021-shin”, thotë ajo.
Ulet standardi jetësor, qytetarët të ardhmen e shohin jashtë vendit
Qytetarët e Maqedonisë vitin 2021 do ta mbajnë mend edhe për rritjen e çmimeve.
“Të gjitha çmimet janë rritur, duke filluar nga buka, mishi, pemët, perimet… Kam dy fëmijë në shkollë, unë nuk punoj, me një rrogë të bashkëshortit nuk mund të sigurojmë as gjërat më elementare. Nëse nuk do të na ndihmonin të afërmit nga jashtë vendit, shumë vështirë do ta përballonim krizën. Do të festojmë në shtëpi me ato pak gjëra që kemi”, thotë Almedina Hasanoviq.
Ndërkaq Darko Nikollovski thotë Për Radion Evropa e Lirë se kostoja e jetës është bërë e papërballueshme kundrejt pagave.
“Gjithnjë e më e vështirë bëhet jeta këtu. Edhe nëse ke përfunduar studimet, vështirë arrin të gjesh një punë ku do të paguhesh mirë, mendoj aq sa për të qenë i pavarur nga ndihma e familjes. Andaj shpresoj që 2022-shi të jetë vit stacionimit tim në Gjermani, shtet ky ku kam aplikuar për punë”, thotë Nikollovski 27-vjeçar duke shtuar se ka pak shpresa se viti 2022 do jetë vit i kthesave për sa i përket zhbllokimit të procesit të integrimeve.
Ndryshe, autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk kanë ndërmarrë asnjë masë shtesë për sa i përket kufizimeve plotësuese për frenimin e variantit të ri të COVID-19.
Facebook Forum