Ndërlidhjet

Pandemia i hap rrugë bashkëpunimit në teknologji mes Rusisë dhe Kinës


Ilustrim.
Ilustrim.

Pandemia e koronavirusit mund të çojë në një bashkëpunim më të ngushtë mes Moskës dhe Pekinit në fushën e teknologjisë.

Ky zhvillim mund të ketë ndikim në masë të madhe në rajonin e Euroazisë.

Këto dy vende kanë qenë duke bashkëpunuar në fushën e teknologjisë edhe para fillimit të pandemisë së COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri.

"Pandemia nuk po e krijon një realitet të ri, por po i forcon tendencat që kanë ekzistuar më parë", tha Alexander Gabuev, një analist në Qendrën Carnegie në Moskë.

"Sanksionet dhe dyshimet në teknologjinë perëndimore tashmë kanë krijuar një afërsi mes Moskës dhe Pekinit, por COVID-19 po mundëson që gjërat të ecin përpara me një ritëm më të shpejtë", thotë ai.

Operatori kryesor i telefonisë në Rusi, MTS, nënshkroi një marrëveshje në vitin 2019 me kompaninë Huawei të Kinës, për të ndërtuar infrastrukturën e rrjetit të tij.

Huawei është prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve 5G.

Përplasja e superfuqive shkaku i rrjetit 5G
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Gjithashtu, Rusia ka shtuar planet për mbikëqyrje masive të popullatës, përmes teknologjisë që mundëson njohjen e fytyrës. Për këtë qëllim ajo ka zgjeruar bashkëpunimin me kompaninë Hikvision të Kinës. Kjo kompani është pjesërisht në pronësi të shtetit kinez.

Pra, përderisa Kina vazhdon të flasë për sukseset e saj në përdorimin e teknologjisë, për të përmirësuar situatën me pandeminë dhe duke e pozicionuar veten si një model për botën pas pandemisë, Moska është e vendosur të hapë derën më shumë për kompanitë e teknologjisë kineze dhe të bashkëpunojë më shumë me Pekinin.

Një bashkëpunim i tillë mund të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e teknologjisë në shumë vende të rajonit të Euroazisë, ku kompanitë kineze po i dërgojnë produktet e tyre dhe po gjejnë blerës midis liderëve autoritarë në vendet e ish-Bashkimin Sovjetik.

Organi ekzekutiv i qytetit të Moskës, ka ndërtuar një rrjet të gjerë, prej më shumë se 170,000 kamerash mbikëqyrjeje. Zyrtarët thonë se ato i kanë ndihmuar ata të ndjekin përhapjen e COVID-19 nëpër kryeqytetin rus dhe të ndëshkojnë ata që kanë thyer rregullat e karantinës.

Por, situata me koronavirusin ka treguar gjithashtu kufizimete sistemeve të mbikëqyrjes së Rusisë, të cilat janë karakterizuar nga mungesa e të dhënave gjithëpërfshirëse, koordinimit dhe zbatimit të duhur.

Një shembull i kësaj është Moska, ku më 15 prill, autoritetet filluan kufizimin, ndjekjen dhe monitorimin e lëvizjes së njerëzve në qytet gjatë karantinës, përmes një kodi digjital (QR). Pjesëmarrja dhe komunikimi i dobët rezultoi me shumë probleme për njerëzit që kishin nevojë të pajiseshin me një kod për të shkuar në punë. Ndërsa për rreth 900,000 të tjerë që arritën të pajiseshin me këtë kod, autoritetet thanë se e kishin marrë atë pa të drejtë posedimi.

Gjithashtu policia bëri kontrolle manuale duke shkaktuar radhë të gjata në hyrjet e stacioneve të metrosë, që me gjasë ishin shkak i përhapjes së koronavirusit.

Më shumë se 290,000 rusë janë infektuar me koronavirusin e ri, shifër kjo e treta në botë, pas Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara.

Megjithëse historia e kodit digjital përbën vetëm një pjesë të vogël të përpjekjeve të Rusisë për luftimin e pandemisë, ajo do ta ushqejë dëshirën në rritje të Kremlinit për të poseduar sisteme vëzhgimi në të gjithë vendin sipas stilit kinez .

"Tani që Rusia po përpiqet të përdorë këtë model të vëzhgimit masiv, megjithëse me sukses të kufizuar, do t'i bëjë ata që të mbështeten më shumë në njohuritë dhe pajisjet kineze", tha Bradley Jardine, një bashkëpunëtor në Institutin Kissinger të Qendrës Wilson.

Balancimi i një marrëdhënieje

Pekini dhe Moska krijuan një partneritet më të fuqishëm, pasi Rusia më 2014 aneksoi paligjshëm Gadishullin e Krimesë në Ukrainë. Që nga ajo kohë, Pekini dhe Moska kanë lëvizur përpara në fuqizimin e raporteve, duke bashkëpunuar në stërvitjet e përbashkëta ushtarake, mbrojtjen raketore dhe projektet ekonomike në Arktik.

Ndërsa interesat e këtyre dy vendeve nuk janë përafruar gjithmonë, qeveritë e tyre kanë një armiqësi të përbashkët me Shtetet e Bashkuara. Moska dhe Pekini, vitet e fundit, e kanë gjetur veten nën presion nga qasja në teknologjinë perëndimore.

Pas ndalesës nga ana e Shteteve të Bashkuara për Huawei-n dhe fushatën e saj globale kundër kompanisë, gjiganti kinez i teknologjisë kavendosur të luajë një rol më të madh në Rusi.

Përveç partneritetit me MTS-n, në qershor të vitit 2019, Huawei shpenzoi 50 milionë dollarë për marrjen e tëdrejtave të një teknologjie për njohjen e fytyrës, e cila ishte zhvilluar nga një kompani e re ruse- Vocord.

Ky bashkëpunim paraqetnjë model të mundshëm për shkrirjen e programeve ruse nën ombrellën e pajisjeve kineze.

Kompania gjysmë shtetërore Hikvision është teknologjia lidere që përdoret për njohjen e fytyrës.
Kompania gjysmë shtetërore Hikvision është teknologjia lidere që përdoret për njohjen e fytyrës.

Marrëveshjet u nënshkruan gjatë një vizite në Rusi të presidentit kinez, Xi Jinping, i cili së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin, njoftuan një fond të përbashkët investimesh për projekte të teknologjisë, me një buxhet fillestar prej 1 miliard dollarësh.

Huawei më vonë nënshkroi një marrëveshje tjetër me një qendër kërkimi të inteligjencës artificiale, e cila mbështetet nga Moska.

"Ndërsa presioni rritet për shkak të politikave të SHBA-së dhe shqetësimeve tjera, Rusia është një alternativë tërheqëse për kompanitë e Kinës, si një treg bashkëpunimi, por edhe për të rekrutuar talent rusë të teknologjisë për kompanitë kineze", tha Elsa Kania, një bashkëpunëtore në Qendrën për Sigurinë e re Amerikane.

Përveç marrëveshjeve të profilit të lartë, Huawei gjithashtu ka zgjeruar praninë e saj në rekrutimin e specialistëve nga Rusia duke krijuar qendra në Moskë, Shën Petersburg dhe disa qytete tjera.

Moska po vazhdon me këtë rritje të mbështetjes në Kinën, derisa pandemia po ndryshon realitetin ekonomik dhe politik brenda Rusisë.

Kombinimi i masave të rrepta të karantinës dhe humbjes së të ardhurave nga nafta do të çojë në "shtrëngimin e rripit" nga ana e shtetit rus.

Në mënyrë të ngjashme, rritja e varësisë nga telekomunikimet që ka shkaktuar koronavirusi do të nxisë nevojën e përmirësimeve të shpejta në infrastrukturën digjitale dhe një vendosje më të shpejtë të rrjetit 5G.

Në këtë situatë, kur buxheti i shtetit rus është nën presion, kompanitë kineze kanë një përparësi të madhe, pasi mund të ofrojnë pajisje teknologjike, me çmim shumë më të ulët se sa konkurrentët e tyre perëndimorë.

Pengesat e një bashkëpunimi më të gjerë

Sidoqoftë, ndërsa rritja e bashkëpunimit teknologjik midis Pekinit dhe Moskës është i pashmangshëm, një seri faktorësh mund të paraqiten si pengesa për një bashkëpunim më të gjerë.

Rusia ka hezituar të hapë plotësisht të gjithë sektorët e saj tek shitësit kinezë - pjesërisht për shkak të një historie të një vjedhjeje kibernetike nga ana e kinezëve të modeleve të teknologjisë ruse të armatimit.

Brenda Rusisë ka edhe shqetësime në rritje për mbizotërimin e kompanive të vogla ruse nga ana e kompanive të mëdha teknologjike të Kinës.

"Zbatimi i një modeli mbikëqyrjeje të stilit kinez në të gjithë Rusinë gjithashtu mund të çojë në probleme strukturore, pasi teknologjitë e mbikëqyrjes zbatohen në një qytet apo në nivel rajonal por jo edhe në atë kombëtar", thotë Andrei Soldatov, bashkautor i librit "Rrjeti i Kuq: Lufta midis Diktatorëve Digjitalë të Rusisë dhe Revolucionarëve të Ri në Internet".

"Këto teknologji funksionojnë për Moskën, e cila ka para dhe mundësi, por jo për gjithë vendin. Kjo mund të krijojë një pamje shumë të komplikuar dhe të pabarabartë në Rusi", tha ai.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG