Ndërlidhjet

Dhjetëra të vrarë në Gazë, teksa përgatitjet rreth bisedimeve për armëpushim po vijojnë


Ndërtesa të rrënuara nga sulmet ajrore izraelite në Han Junis, Gazë, 24 gusht 2024.
Ndërtesa të rrënuara nga sulmet ajrore izraelite në Han Junis, Gazë, 24 gusht 2024.

Së paku 50 palestinezë janë varë nga sulmet ajrore izraelite në jug të Rripit të Gazës, thanë zyrtarët të shtunën.

Izraeli kreu sulme ajrore derisa përgatitjet për bisedimet e nivelit të lartë për armëpushim vazhduan të shtunën në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro.

Në mesin e të vrarëve janë 11 anëtarë të një familjeje, përfshirë dy fëmijë. Ata humbën jetën kur një sulm ajror izraelit e goditi shtëpinë e tyre në qytetin Han Junis mëngjesin e së shtunës, sipas Spitalit Nasser, ku u dërguan trupat e tyre dhe të plagosurit.

Në këtë spital u dërguan trupat e 33 njerëzve të vrarë nga tri sulme të ndara ajrore brenda dhe përreth Han Junisit.

Spitali i Martirëve Al-Aqsa tha se i ka pranuar trupat e tre personave të vrarë nga një sulm tjetër.

Shtatëmbëdhjetë të tjerë u vranë kur një sulm ajror goditi një rrugë në Han Junis, përfshirë udhëtarë dhe kalimtarë rasti, tha Spitali Nasser.

Ushtria e Izraelit tha se është duke i shqyrtuar raportimet, por nuk deshi të komentojë.

Associated Press raportoi se gazetari i saj në spitalin e Gazës i ka numëruar trupat dhe e ka xhiruar varrimin e tyre në oborrin e spitalit.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur militantët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Si pasojë e luftës izraelite, pjesë të Rripit të Gazës janë bërë rrafsh me tokën dhe së paku 40.000 njerëz janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Ekspertët u takuan të shtunën për t’i zgjidhur cështjet teknike dhe për ta hapur rrugën për bisedimet e nivelit të lartë të dielën, që kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit.

Një delegacion i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – mbërriti të shtunën në Kajro për t’u takuar me zyrtarët e Egjiptit dhe Katarit, tha zyrtari i Hamasit Mahmod Merdaëy.

Ai theksoi për Associated Press se Hamasi nuk do të marrë pjesë drejtpërdrejt në bisedime të dielën, por do të njoftohet nga Egjipti dhe Katari.

Përpjekjet diplomatike për arritjen e armëpushimit në Gazë janë rritur, për shkak të frikës nga rreziku i shpërthimit të një lufte të gjerë rajonale, pas vrasjes së dy liderëve të Hamasit dhe Hezbollahut, për të cilat u fajësua Izraelit, dhe kërcënimeve për hakmarrje.

Izraeli dhe Hamasi kanë mospajtime rreth korridorit Filadelfi përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin, dhe korridorit Netzarim në mes të territorit. Hamasi kërkon tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ngul këmbë se Izraeli duhet ta kontrollojë korridorin Filadelfi, duke thënë se qëllimi është të parandalohet riarmatosja e Hamasit dhe përsëritja e sulmit të 7 tetorit në Izrael.

Ai gjithashtu i mohoi raportimet se Izraeli është i gatshëm të pranojë vendosjen e një force ndërkombëtare në atë korridor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG