Ndërlidhjet

Pakistani shton pikëkalimet për dëbimin e vazhdueshëm të afganëve


Refugjatët afganë në një kodër pranë zyrës së Organizatës Ndërkombëtare për Emigrim, duke pritur për t'u regjistruar pas kthimit nga Pakistani afër kufirit në provincën Nangarhar, 12 nëntor.
Refugjatët afganë në një kodër pranë zyrës së Organizatës Ndërkombëtare për Emigrim, duke pritur për t'u regjistruar pas kthimit nga Pakistani afër kufirit në provincën Nangarhar, 12 nëntor.

Pakistani i ka hapur edhe tri pikëkalime të tjera kufitare për ta lehtësuar largimin e emigrantëve afganë të cilët po dëbohen drejt Afganistanit.

Mediat pakistaneze raportuan të hënën se tri rrugët e reja janë hapur në Saifullah Fort të provincës Balochistan dhe në zonën e Noorhabit.

Më shumë se 300.000 afganë pa dokumente janë larguar nga Pakistani deri tani, pasi Qeveria në Islamabad njoftoi muajin e kaluar se më shumë se 1.7 milion të huaj pa dokumente duhet të largohen deri më 1 nëntor, ose do të përballen me arrestim dhe dëbim.

Numri i pikëkalimeve kufitare është rritur në pesë tani.

Rreth 15.000 afganë po e kalojnë kufirin nga Pakistani për në Afganistan çdo ditë tani. Para ultimatumit të Qeverisë, rreth 300 afganë e kalonin kufirin brenda ditës.

Agjencitë humanitare ndërkombëtare kanë raportuan për skena dëshpëruese kaosi në mesin e afganëve që janë kthyer nga Pakistani.

“Shumë afganë në Pakistan janë duke u përballur tani me bastisje policore dhe shkatërrim të shtëpive të tyre pa proces ligjor. Të arrestuarve u është mohuar e drejta për avokat mbrojtës dhe komunikimi me anëtarë të familjes”, tha Amnesty International në X.

Pse po i dëbon afganët Pakistani?

Qeveria e Pakistanit tha se dëbimi i afganëve, për të cilët thotë se po jetojnë jashtëligjshëm në Pakistan, është nxitur nga një krizë e sigurisë, pas një rritjeje të numrit të sulmeve në rajonet kufitare të Pakistanit në muajt e fundit.

“Kanë ndodhur 24 raste të sulmeve vetëvrasëse prej janarit, 14 prej të cilave u kryen nga shtetasit afganë”, tha ministri i Brendshëm në detyrë i Pakistanit, Sarfraz Bugati, kur njoftoi për urdhrin në fillim të muajit tetor.

Pakistani e akuzon Qeverinë talibane se po i strehon grupet militante të cilat i fajëson për sulmet, siç janë Pakistani Taliban (TTP) – një grup i ndarë nga talibanët afganë, por me ideologji të njëjtë.

Pakistani është duke u munduar ta luftojë edhe kontrabandën kufitare, për të cilën thotë se po e thellon krizën ekonomike në vend, duke i rritur kontrollet në pikat e ligjshme kalimtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG