Ndërlidhjet

Pakistani me sulme hakmarrëse ndaj Iranit


Disa shpërthiime janë dëgjuar në një fshat kufitar mes Iranit dhe Pakistanit, dy ditë pasi Irani kreu sulme në Pakistan.
Disa shpërthiime janë dëgjuar në një fshat kufitar mes Iranit dhe Pakistanit, dy ditë pasi Irani kreu sulme në Pakistan.

Avionët luftarakë të Pakistanit kanë kryer sulme ajrore mëngjesin e 18 janarit ndaj caqeve të supozuara militante në Iranin fqinj. Sipas zyrtarëve lokalë iranianë, në këto sulme janë vrarë katër fëmijë dhe tri gra.

Sulmet në provincën Sistan-Baluçestan vijnë pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit sulmoi provincën jugperëndimore pakistaneze të Baloçistanit më 16 janar, duke vrarë dy fëmijë.

Ministria e Jashtme e Pakistanit tha përmes një deklarate se sulmet shënjestruan bazat e "terroristëve".

"Mëngjesin e sotëm, Pakistani kreu një sërë sulmesh të koordinuara dhe të sakta ushtarake kundër vendeve ku strehohen terroristët në provincën Sistan-Baluçistan të Iranit. Një numër i terroristëve u ranë gjatë operacionit", u tha në deklaratë.

Një zyrtar nga kjo provincë e Iranit tha për agjencinë e lajmeve, Mehr, se sulmet goditën një fshat kufitar dhe se viktimat ishin gra dhe fëmijë.

“Në orën 4:50 të mëngjesit, disa shpërthime janë dëgjuar në zonën e qytetit Saravan dhe pas hetimeve, ne gjetëm se Pakistani shënjestroi me raketa një prej fshatrave kufitare të Iranit”, tha zyrtari nga Sistan-Baluçostan, Alireza Marhamati.

“Tri gra dhe katër fëmijë janë vrarë”, tha Marhamati në një prononcim për agjencinë e lajmeve Mehr.

Mediat iraniane raportuan se pas sulmit, i dërguari me punë i Pakistanit u thirr në bisedë nga Ministria e Jashtme në Teheran.

Në Pekin, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme tha se Kina është e gatshme të ndërmjetësojë bisedime mes Iranit dhe Pakistanit.

"Pala kineze sinqerisht shpreson që të dyja palët mund të përmbahen dhe të shmangin një përshkallëzim të tensioneve", tha zëdhënësja Mao Ning.

Sulmet hakmarrëse ajrore të Pakistanit ndodhën disa orë pasi Islamabadi tërhoqi ambasadorin e tij nga Irani, në shenjë proteste ndaj sulmit të kryer nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha se sulmet e 16 janarit në Baloçistan u kryen ndaj grupit militant sunit, Jaish al-Adl.

Irani dhe Pakistani ndajnë një kufi prej 900 kilometrash dhe kontrolli i tij ka qenë i vështirë, duke u mundësuar disa grupeve militante, veçmas ato që kanë ideologji nacionaliste baluçe, të operojnë në zonë.

Më 16 janar, Iraku po ashtu tërhoqi të dërguarin në Teheran, pasi disa civilë u vranë gjatë sulmeve raketore të Gardës iraniane në Irbil.

Irani ka pretenduar se sulmet e 16 janarit shënjestruan një “seli të spiunëve izraelitë” afër Konsullatës amerikane në Irbil të Irakut, dhe caqe të lidhura me grupin militant, Shteti Islamik, në veri të Sirisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG