Ndërlidhjet

Pakistani fillon të marrë ndihma ndërkombëtare për të përballuar përmbytjet


Njerëzit e prekur nga përmbytjet qëndrojnë në një radhë të gjatë mpër të marrë ushqimin e shpërndarë nga trupat e ushtrisë pakistaneze në një zonë të goditur nga përmbytjet në Rajanpur, rrethi i Punjabit, Pakistan. 27 gusht 2022.
Njerëzit e prekur nga përmbytjet qëndrojnë në një radhë të gjatë mpër të marrë ushqimin e shpërndarë nga trupat e ushtrisë pakistaneze në një zonë të goditur nga përmbytjet në Rajanpur, rrethi i Punjabit, Pakistan. 27 gusht 2022.

Ndihma ndërkombëtare ka filluar të arrijë në Pakistan mes përmbytjeve të përhapura të shkaktuara nga nga shirat e dendura monsune, që kanë lënë të vdekur më shumë se 1.000 persona.

Avionët me ngarkesa nga Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arritën në Pakistan më 28 gusht, me ndihma që përfshijnë: tenda, ushqime dhe materiale të tjera të nevojshme.

Kryeministri pakistanez, Shabaz Sharif tha më 29 gusht se këto janë shirat më të dendura që ka parë Pakistani në tre dekada.

Ai tha se avionët që transportonin ndihma nga disa vende të botës kanë arritur tashmë në Pakistan, dhe se do të vijnë edhe më shumë.

Sharif ka thënë se qeveria do të sigurojë strehim për të gjithë ata që humbën shtëpitë e tyre.

Zyrtarët në Pakistan thanë se gjatë këtij viti vërshimet kanë vrarë të paktën 1.061 njerëz, kanë prekur mbi 33 milionë banorë – një në shtatë pakistanezë – duke shkatërruar apo dëmtuar rëndë pothuajse 1 milion shtëpi.

Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive tha se mbi 2 milionë hektarë të mbjella me produkte bujqësore janë shkatërruar plotësisht, 3.451 kilometra rrugë janë shkatërruar dhe 149 ura janë shembur.

Autoritetet pakistaneze thanë se shkatërrimi i këtij viti është më i keq se në vitin 2010, kur përmbytjet vranë 1.700 njerëz.

Gjenerali Qamar Javed Bajwa, shefi ushtarak i vendit, tha më 28 gusht se vendit të tij mund t'i duhen vite për t'u rikuperuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG