Kenia – shtet afrikan – e ka njohur pavarësinë e Kosovës të mërkurën, duke u bërë kështu shteti i 118-të që e njeh atë.
Njohja nga Kenia - që u dënua nga Serbia - është e para për Kosovën në katër vjetët e fundit.
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte i pari që njoftoi për njohjen e vendit nga Kenia, para se presidentja e tanishme, Vjosa Osmani, të konfirmonte zyrtarisht se ka pranuar njohjen nga homologu i saj kenian, William Ruto.
"Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet vendimit të nënshkruar nga Presidenti Ruto të dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë", shkroi Osmani në Facebook.
Të mërkurën në mbrëmje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i falënderon Osmanin dhe Pacollin për rolin e tyre, "krahas edhe të gjithë atyre që kontribuan në këtë arritje".
Pacolli, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, shkroi në Facebook se njohja u bë “në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme” më 26 mars.
Pacolli e publikoi një fotografi nga ajo që tha se ishte ceremonia e nënshkrimit të njohjes. Në fotografi, Pacolli shihet duke qëndruar pranë presidentit të Kenias, William Ruto, teksa ai nënshkruan në një dokument.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha disa orë pasi u bë i ditur lajmi për njohjen se ky është "lajm i rëndësishëm që thekson përparimin dhe forcimin e pozitës sonë në skenën ndërkombëtare dhe në kontinentin afrikan".
Çka tha Serbia?
Ministria e Jashtme e Serbisë tha se e dënon fuqishëm vendimin e Kenias për të njohur pavarësinë e “shpallur në mënyrë të njëanshme nga e ashtuquajtura ‘Kosovë’”.
Në një reagim në ueb-faqen e vet në internet, Ministria e Jashtme serbe tha se ky hap “përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën garantohet në mënyrë të qartë sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Serbisë”.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë erdhi në përfundim në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare.
Serbia tha se vendimi i Kenias për njohjen e Kosovës mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Beogradit me shtetin afrikan.
“Ky vendim përfaqëson një precedent të dhimbshëm në marrëdhëniet tradicionalisht miqësore ndërmjet Serbisë dhe Kenias – marrëdhënie që janë ndërtuar për dekada mbi respektin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë”, tha ajo.
Ajo tha se Serbia do t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike dhe politike si përgjigje ndaj këtij akti të papranueshëm dhe armiqësor”.
Në vitet e fundit ka pasur një rënie të ritmit të njohjeve dhe shteti i fundit që e njohu ishte Izraeli në vitin 2021.
Pacolli mori meritat për njohjen e vendit nga Kenia, duke thënë se “që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet”.
"Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë”, tha ai.
Presidentja Osmani tha se falënderim i veçantë për njohjen e Kosovës shkon edhe për Pacollin.
Pacolli theksoi se presidenti i Kenias, William Ruto, i kishte premtuar atij njohjen e Kosovës qysh në vitin 2016
“Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia”, shtoi ai.
Ruto u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tri herë gjatë vitit 2024, sipas Presidencës së Kosovës.
"Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejt, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë", tha Osmani.
Osmani shtoi se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kenisë do të thellohen në fusha të ndryshme, "ndaj presim që shumë shpejt të vendosim marrëdhënie diplomatike, duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në mes dy shteteve dhe popujve tanë".
Ndërkohë, Pacolli i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Republikën e Shqipërisë në Nairobi.
Pacolli ka mbajtur disa role të larta në Kosovë në të kaluarën, përfshirë si president nga shkurti deri në prill 2011, zëvendëskryeministër nga viti 2011 deri në vitin 2014, si dhe si zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm nga viti 2017 deri në vitin 2020.