Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky në përvjetorin e 31-të të pavarësisë së shtetit.
Ky përvjetor shënohet në ditën kur mbushen gjashtë muaj prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar ndaj Ukrainës.
Përmes një letre që e ka bërë publike në Twitter, Osmani ka thënë se Kosova është në mesin e pak vendeve në botë që kuptojnë plotësisht vuajtjet e popullit ukrainas.
“Ne e dimë si është te jesh shënjestër e regjimit gjenocidial dhe hegjemonik, dhuna e të cilit është brutale e nuk përjashton askënd, dhe nuk ka respekt për dinjitetin njerëzor apo për të drejtën tuaj që të ekzistoni si shtet”, ka thënë Osmani.
“Mirëpo njerëzit e mi po ashtu e dinë se kur ka vendosmëri dhe rezistencë, nuk ka asgjë që mund t’i dalë përpara gatishmërisë së njerëzve për liri”.
Ajo ka thënë se populli i Kosovës vazhdon të jetë mirënjohës ndaj ushtarëve ukrainas që kanë marrë pjesë në misionin paqeruajtës në Kosovë, gjë për të cilën së fundi ka ndarë Medalje Presidenciale.
“Ne ju mbështesim juve me çdo kapacitet që kemi, dhe tashmë kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë. Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për të thelluar miqësinë dhe marrëdhëniet mes dy shteteve dhe njerëzve”, ka thënë Osmani mes tjerash në letër.
Presidentja e Kosovës po ashtu ka thënë se është e bindur që “një ditë, ne do të qëndrojmë të barabartë në mesin e familjes evropiane. Ne jemi me ju dhe do të jemi derisa të fitojë Ukraina”.
Si pasojë e luftës në Ukrainë kanë vdekur mijëra persona, janë zhvendosur miliona të tjerë dhe dëmet materiale sa shkojnë e rriten.
Kryeqyteti ukrainas, Kiev dhe disa qytete tjera të mëdha, kanë ndaluar festimet publike, pas paralajmërimeve se Rusia mund të përdorë këtë ngjarje për të sulmuar infrastrukturën civile dhe qeveritare.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.