Ndërlidhjet

Osmani u kërkon liderëve evropianë ta mbajnë Serbinë përgjegjëse për dhunën në veri


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Granada, Spanjë, 5 tetor 2023.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Granada, Spanjë, 5 tetor 2023.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të enjten se e ka theksuar rëndësinë para disa liderëve evropianë që Serbia të japë përgjegjësi për “sulmin terrorist dhe aktin e agresionit” ndaj Kosovës, në lidhje me sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit muajin e kaluar.

Osmani shkroi në rrjetet sociale se në Garanda të Spanjës – ku mori pjesë sot në një mbledhje të Komunitetit Politik Evropian – se u takua me liderët e Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Greqisë.

“Një bisedë e rëndësishme me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, rreth zhvillimeve të fundit të sigurisë në Kosovë dhe për përkushtimin tonë të përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. E theksova rëndësinë për ta mbajtur përgjegjëse Serbinë për aktin e agresionit kundër Republikës sonë”, shkroi Osmani pas një takimi me presidentin francez.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

Osmani u takua edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, në Spanjë, para të cilëve tha se “e theksova rëndësinë që Serbia të mbahet përgjegjëse për përpjekjet e saj për ta destabilizuar vendin tonë dhe tërë rajonin.”

Më herët gjatë ditës, ajo ishte takuar edhe me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, të cilin e falënderoi “që forcat britanike po na ndihmojnë t’i mbajmë të sigurt kufijtë tanë, në mënyrë që t’i parandalojmë veprimet e ardhshme agresore. Serbia duhet të japë llogari.”

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe njoftoi më 1 tetor se do t’i zhvendosë së shpejti rreth 200 trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë.

Para këtyre takimeve, Osmani tha se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Por më vonë gjatë ditës, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha se do të ulet “së bashku” me presidenten Osmani dhe presidentin Vuçiq, për të biseduar gjatë këtij samiti të BE-së.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

Në një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj Osmani, Vuçiq tha në Granada se Serbia “asnjëherë nuk ka bërë fushatë” për vendosjen e sanksioneve kundër Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG