Ndërlidhjet

Osmani takon ambasadorët e QUINT-it dhe komandantin e KFOR-it, pas shpërthimit në veri


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret në takim në Prishtinaë ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, pas sulmit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, 30 nëntor.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret në takim në Prishtinaë ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, pas sulmit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, 30 nëntor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të biseduar për zhvillimet e fundit në vend, një ditë pas sulmit kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, njoftoi Presidenca.

Ajo e takoi ndaras edhe Enrico Barduanin, komandantin e KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Osmani theksoi në takim me ambasadorët se ky ishte “një sulm terrorist ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës, i cili e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës”.

“Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë”, thuhet në njoftim.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.

Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta dënojë sulmin dhe “të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë”.

Shtetet e QUINT-it përbëhen nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në takim me Barduain e KFOR-it, Osmani tha se “sulmi terrorist” ndaj infrastrukturës vitale “dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit”.

Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Serbinë se qëndron pas këtij sulmi, gjë që është mohuar nga Beogradi zyrtar.

Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit: Kosova akuzon Serbinë, Serbia mohon akuzat
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:36 0:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të shtunën se disa të dyshuar janë arrestuar dhe se janë gjetur prova materiale në lidhje me shpërthimin.

Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëme.

Si pasojë e dëmtimit të kanalit, Kurti kishte deklaruar të premten vonë se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike në mëngjesin e 30 nëntorit, ndërsa disa qytete dhe një pjesë e kryeqytetit, Prishtina, mund të mbeten pa ujë të pijshëm.

Megjithatë, Qeveria të shtunën ka njoftuar se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Më herët, KFOR-i e dënoi sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe tha se është e rëndësishme gjetja e fakteve dhe sjellja para drejtësisë e personave përgjegjës.

Misioni paqeruajtës tha se nga e premtja në mbrëmje, kur ndodhi sulmi, ka ofruar sigurinë përreth kanalit të ujit dhe zonave në afërsi, si dhe ka ndihmuar institucionet e Kosovës me logjistikë dhe mjete të tjera.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG