Ndërlidhjet

Osmani: Ne i qëndrojmë përkrah Ukrainës, liria do të triumfojë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova i qëndron përkrah Ukrainës në dyvjetorin e pushtimit të saj nga Rusia, duke nënvizuar se “ne e dimë se si është ta paguash çmimin më të lartë për liri”.

“Ne e dimë çfarë është dhimbja për humbjen e fëmijëve të pafajshëm; për dhunën seksuale në luftë; për varret masive me eshtrat e më të dashurve tanë. Por, liria triumfoi dhe do të triumfojë përsëri. Rroftë Ukraina”, shkroi Osmani në rrjetin social X.

Sot janë bërë dy vjet prej se Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Si pasojë e kësaj lufte kanë vdekur mijëra njerëz, janë zhvendosur miliona të tjerë dhe dëmet materiale sa shkojnë e rriten.

Kosova i ka strehuar dhjetëra gazetarë ukrainas prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë.

Kosova po ashtu është pjesë e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë për shkak të luftës së saj agresore në Ukrainë.

Në gusht 2023, Osmani kishte thënë se pret që Ukraina ta marrë një vendim “të guximshëm” për themelimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën, gjatë një fjalimi në rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës në Prishtinë.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli në shkurt 2008, gati një dekadë pasi vendi u çlirua nga okupimi serb.

“Presim që Ukraina do ta kthejë mbështetjen kah Kosova si shtet i pavarur dhe sovran dhe një aleate e natyrshme në këtë rajon. Lufta i ka përafruar popujt tanë dhe tashmë është koha për vendime të guximshme për themelimin e marrëdhënieve tona dypalëshe”, kishte thënë Osmani.

Asokohe, ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, kishte thënë se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

Megjithatë, Tolkach theksoi se qëndrimi i Ukrainës për njohjen e Kosovës mbetet i pandryshueshëm, për shkak se çështja e “krijimit dhe zbatimit të politikës së jashtme në përputhje me legjislacionin ukrainas i takon presidentit të Ukrainës”.

Toklach tha se lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.

Ai e pranoi se nuk është befasi se zërat po rriten gjithnjë e më shumë në shoqërinë ukrainase në përkrahje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG