Ndërlidhjet

Osmani: Heqja e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe ka ndikim negativ


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe, “ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën”.

Ky vendim, sipas saj, atakon edhe përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

Osmani tha se i bëri këto komente në një takim të martën me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për tema të tjera, përfshirë: pjesëmarrjen e presidentes në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO-s dhe një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet e Kosovës.

Më 22 korrik, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian morën vendimin për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Serbët e Kosovës, që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, janë aktualisht të vetmit qytetarë të Ballkanit Perëndimor që u duhen viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Kosova nuk i njeh pasaportat e këtij mekanizmi që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd, dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës.

Vendimin e BE-së e kritikoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar si “të padrejtë dhe të dëmshëm”.

Autoritetet në Kosovë i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Kosovës.

Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave nga 1 janari i këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG