Ndërlidhjet

Osmani: Kosovës të mos i bëhet trysni në dialog, derisa Vuçiqi fle mbi varreza masive


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke kryer homazhe me kryetarin e Parlamentit Glauk Konjufca, te Memoriali për të Pagjeturit. Prishtinë, 30 gusht 2023.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke kryer homazhe me kryetarin e Parlamentit Glauk Konjufca, te Memoriali për të Pagjeturit. Prishtinë, 30 gusht 2023.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje të mërkurën që vendit të saj të mos i bëhet më trysni në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të vazhdojë “të flejë mbi varrezat masive” të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.

Duke folur pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit më 30 gusht në Prishtinë, Osmani tha se Serbia po vazhdon ta përsërisë krimin e saj duke e fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Më 30 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.

Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1,600 persona.

“Shpresojmë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë më një proces përmes të cilit Kosovës do t’i bëhet trysni dhe popullit të Kosovës padrejtësi, ndërkaq fytyra e Vuçiqit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive, do të vazhdojë të shpërlahet padrejtësisht”, tha Osmani.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, duke shtuar se ajo është përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve të Kosovës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Kurti kërkoi që të sillen para drejtësisë dhe të dënohen përgjegjësit politikë, ushtarakë e policorë për këto krime.

“Si zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi, po themelojmë Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Me ndryshimet që kemi bërë në legjislacionin përkatës, institucionet tona të drejtësisë mund të ndjekin dhe të dënojnë kryerësit e krimeve të luftës në mungesë, kudo që ata janë”, shkroi Kurti.

Më 2 maj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb Vuçiq, nënshkruan Deklaratën për të Pagjeturit, si pjesë e një dialogu të nivelit të lartë politik, përmes të cilës palët u zotuan të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si 'konfidenciale'.

Por, presidentja Osmani tha se marrëveshja nuk është duke u zbatuar nga Serbia, duke thënë se “për fat të keq shpesh herë gjinden arsyetime që kinse duhet edhe dokumente të tjera përcjellëse, megjithatë, nenet e asaj deklarate janë shumë të qarta, tregojnë se çfarë duhet të bëjë Serbia, pra t’i hapë të gjitha arkivat.”

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000, prej të cilëve rreth 1.600 janë ende të pagjetur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG