Ndërlidhjet

Osmani fton në takim Jasharin dhe Maqedoncin pas raportimeve për shujtat në FSK


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jasharin dhe ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, për të diskutuar furnizimin me ushqim të ushtarëve të FSK-së, si dhe ka kërkuar raport të detajuar për situatën.

Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit.

“Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional”, ka thënë Kupina përmes një komunikate me shkrim.

Në javët e fundit, mediat lokale kanë publikuar shpesh fotografi të shujtave të ushtarëve, si dhe ankesave të pjesëtarëve të FSK-së për që u servohet.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe se në to shërbehet llojllojshmëri shujtash, ndërsa raportimet në media i ka quajtur propagandë.

“E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik mbështetës, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës”, është thënë në reagimin e Ministrisë në Facebook.

Kupina ka përmendur edhe nevojën e miratimit të propozimit shtatë-pikësh të Osmanit për një program shtetëror për mbështetjen shumëdimensionale të FSK-së, e cila, sipas Presidencës, “ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj".

“Ky program ka nevojë që të ketë mbështetje buxhetore në ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili propozohet nga Qeveria dhe miratohet në Parlament”.

Në planin e presidentes Osmani, parashihet pagesa e shtesave në paga për rrezikshmëri, pagesa e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit, pagesa e mëditjeve gjatë shkollimit dhe trajnimit jashtë vendit, sigurimi shëndetësor, funksionalizimi i spitalit ushtarak, përmirësimi i cilësisë së ushqimit, sigurimi i banimit të përballueshëm, dhe fondi kreditues për ushtarët.

Të hënën, më 14 tetor, opozita ka paralajmëruar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, për t'i diskutuar shujtat e ushtarëve të FSK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), parti në opozitë, e ka mbajtur të shtunën një konferencë për media lidhur me këtë çështje.

Antoni Quni nga kjo parti, ka pretenduar se ushtarët po përballen me vështirësi të mëdha, dhe për këtë e ka mbajtur përgjegjëse Qeverinë e Kosovës.

“Derisa ushtarët tanë rrezikojnë jetën për sigurinë e Kosovës, Qeveria po e rrezikon shëndetin e tyre për shkak të papërgjegjshmërisë. Si shembull, ushtarët në Ferizaj u shërbyen së fundmi me ushqime të konservuara, për shkak të mungesës së kuzhinierëve në kazermat ushtarake. Ky është turp”, ka thënë ai.

Forca e Sigurisë së Kosovës është themeluar më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që ka rezultuar me pavarësi të Kosovës.

Kjo Forcë është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për të ndryshuar mandatin e FSK-së.

Përgjegjësitë e reja kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.

Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota. Kapacitet e plota operacionale parashihen që të arrihen në fazën e tretë.

Deri në fund të tij, më 2028, FSK-ja pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë nga mbi 4.000 sa i ka aktualisht.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG