Ndërlidhjet

Orkestra e Putinit në Beograd


Serbi: Një person kalon pranë zyres në Beograd të agjencisë së lajmeve “Sputinik Serbia”.
Serbi: Një person kalon pranë zyres në Beograd të agjencisë së lajmeve “Sputinik Serbia”.

Studio B ka qenë njëri nga radio stacionet më të poullarizuara në Beograd për dekada të tëra. Në vitet e 70-ta dhe 80-ta, programi i këtij stacioni “Mirëmëngjesi Beograd” ishte mjet i lidhshmërisë së pjesës më të madhe të familjeve serbe, ndërsa autori i këtij programi, Dushko Radoviq, që ishte një lloj ikone, angazhohej që të gjithë dëgjuesit e tij ta fillonin ditën me buzëqeshje.

Radoviq vdiq në vitin 1984 dhe vendi, kryeqytet i të cilit gjatë jetës së tij ishte Beogradi, më duket se nuk ekziston.

Shumë gjëra kanë ndryshuar në këtë vend, bile edhe radiovalët.

Programi i mëparshëm i të ndjerit Radoviq tash i takon organizatës Sputnik, që është një kompani mediale e sponzorizuar nga shteti rus, ndërsa lajmet e tij tash i përshëndesin beogradasit për çdo mëngjes, e jo zëri optimist i Radoviqit.

Ky ndryshim është simbolik për rolin aktual të Serbisë si njëri prej shqetësimeve kryesore strategjike të Rusisë në rajonin e Ballkanit. Rrjedhimisht, Moska po e përdorë gjithë forcën e butë që e ka në disponim, për ta fituar mendjen dhe zemrën e banorëve lokalë.

Miliq: “Putinizim” i Serbisë

Sipas Qendrës për Studime Evroatlantike (CEAS), me seli në Beograd, Sputnik ka filluar të transmetojë program në muajin janar të vitit 2015, dhe është vetëm njëra nga më tepër se 100 mediat dhe organizatat joqeveritare pro-ruse.

Udhëheqësja e kësaj qendreje, Jelena Miliq, në studimin e saj me titull “Rusifikimi i Serbisë”, shpjegon se përse Serbia është një cak i lehtë për forcën e butë ruse.

Serbia, si vendi më i madh me shumicë ortodokse dhe sllave në Evropën Qendrore, që ende duhet të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe nuk dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s, është në gjendje shunë të keqe ekonomike, ndërsa publiku i është ekspozuar propagandës dhe lavdisë së fuqishme të miqësisë tradicionale ruso – serbe”, thotë Jelena Miliq.

Jelena Miliq
Jelena Miliq

Sipas saj, jemi dëshmitar të “Putinizimit” të Serbisë, megjithqë progresi i saj formal kah BE-ja, në formë teorike, mund të jetë pengesë për këtë “Putinizim”.

Miliq e ka shfrytëzuar shprehjen “Orkestra e Putinit” për ta përshkruar atë që ajo e sheh si përpjekje të koordinuar nga individët, grupet dhe institucionet, për ta shkatërruar mbështetjen publike për integrim evropian, për ta zvarritur afrimin e Serbisë me Perëndimin dhe për të promovuar interesa ruse.

Ekziston gjithnjë e më tepër dëshmi se disa pjesëtarë të orkestrës së Putinit financohen direkt nga Moska”, ka shkruar Jelena Miliq.

Jakshiq: Cak i Rusisë është ndjenja anti-perëndimore

Analisti nga Beogradi, Boshko Jakshiq, nuk konsideron se grupet dhe individët prorusë në Serbi veprojnë në mënyrë të koordinuar, por ata mund të mos jenë shumë larg nga kjo.

Pa dyshim ekziston një synim për t’i tubuar këto qendra të atomizuara të ndikimit rus, në një të vetme, një njësi më të fuqishme. Megjithqë ata aktualisht nuk operojnë në frekuencë kombëtare, ne tashmë mund ta shohim këtë lloj të koordinimit në nivelin lokal dhe rajonal dhe është evident qëllimi për të qenë lojtar madhor në politikën serbe”, tha Jakshiq, në një intervistë aktuale për Radion Evropa e Lirë.

Boshko Jakshiq
Boshko Jakshiq

Analisti Jakshiq, që ishte i pari që e ka monitoruar fenomenin e rusifikimit të nacionalizmit serb, mendon se qendrat e ndikimit rus, nuk gjenden vetëm në mesin e grupeve nacionaliste periferike të krahut të djathtë, por edhe në partitë politike kryesore, disa prej të cilave janë pjesë e koalicionit qeverisës, pastaj Kisha Ortodokse Serbe dhe organizatat studentore.

Këto të gjitha janë caqe të forcës së butë ruse dhe duhet të theksohet se vlerësimi i Moskës për mënyrën më efikase të arritjes së këtyre qëllimeve është treguar korrekt – promovimi i klero-nacionalizmit serb, pastaj ndjenjës anti-evropiane dhe anti-perëndimore”, thotë Jakshiq dhe shton se “qartazi, pjesë e kësaj është thirrja emocionale e Nënës Rusi, të bazuar në Ortodoksinë e Krishterë dhe Pansllavizmin e përbashët, pastaj lidhjet ekonomike dhe ushtarake të forcuara gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë. Efekti i kombinuar i të gjitha këtyre sulmeve ka çuar në atë që unë e kam quajtur Rusifikim i nacionalizmit serb. Me fjalë të tjera, ky është ushqim i nacionalizmit serb nga ana e Rusisë, me qëllim që vendi të largohet nga rruga e vet evropiane”.

Ideja e vëllazërisë ruse – serbe, që është në zemër të thirrjeve të propagandës ruse, është e bazuar në mit, konsideron Jakshiq. Megjithatë, ky mit ishte kultivuar në mënyrë të shkathtë nga Kremlini, duke shfrytëzuar avancimin e rusofilisë së krijuar dhe rrjetin e fuqishëm të OJQ-ve dhe institucioneve pro-ruse.

Ajo që është më shqetësuese, është se këto OJQ ruse, janë veçanërisht aktive në universitete dhe kanë pasur sukses ekstrem në rekrutimin e njerëzve të rinj”, thotë Jakshiq.

OJQ-ja e parë ruse ishte formuar para shumë e shumë vitesh, më 1913, dhe prej atëherë institucione të ndryshme proruse kanë ushtruar ndikim në segmente të ndryshme të shoqërisë serbe dhe në qarqet politike të Serbisë.

Në këtë kuadër, analisti Jakshiq e thekson rolin e Institutit rus për studime strategjie, që e kishte promovuar të ashtuquajturën diplomaci sociale dhe e kishte nxitur nacionalizimin serb, së bashku me dashurinë ndaj Rusisë.

Ende është shumë i rëndësishëm promovimi i modelit politik rus”, thotë Jakshiq, dhe shton se “ky është shqetësim real, jo për shkak të ndonjë ndjenjeje anti-ruse, por për shkak se promovimi i kësaj ideje politike, është fundamentalisht në kundërshtim me interesat strategjike të Serbisë, me vlerat e ndërlidhura me demokracinë liberale moderne, të mbështetur nga BE-ja”.

Rrjedhimisht, duhet të theksohet se pjesa më e madhe e investimeve të jashtme në Serbi bëhen nga vendet e Bashkimit Evropian (82%) dhe gati 66% e eksporteve serbe janë të destinuara për në BE.

Universiteti i Beogradit – qendër e propagandës ruse

Konsiderohet se efekti i propagandës ruse po ndjehet në jetën publike serbe, pavarësisht nëse kjo është orkestrim i harmonizuar ose pak a shumë, tubim i njerëzve ose grupeve të dëshpëruara.

Në fillim të muajit gusht, Zyra për Integrim në BE, i ka shpallur rezultatet e monitorimit të rregullt, që tregojnë se mbështetja për anëtarësim në BE në Serbi ka shënuar rënie nën 50%, për të parën herë.

Studimi i Jelena Miliqit e ka identifikuar Universitetin e Beogradit si qendrën kryesore të propagadës ruse, ndërsa analisti Jakshiq konsideron se kjo është gjëja më shqetësuese.

Kisha Ortodokse, pa dyshim, është transmetuesi më i fuqishëm i ndikimit rus, por elementet e Universitetit të Beogradit nuk janë shumë prapa. Kjo është paradoksale dhe ekstremisht shqetësuese, pasi pjesëtarët e gjeneratave të reja po rekrutohen nga nacionalistët e mbështetur nga Rusia dhe se Moska po prezentohet si një lloj i alternativës dhe shpëtimit”, thotë Jakshiq.

Suksesi i rrëfimeve të promovuara ruse dhe përhapja e ndikimit rus qartaz e ka forcuar Kremlinin për ta zgjeruar praninë e vet zyrtare në Serbi. Kjo është sugjeruar nga përpjekjet aktuale për sigurim të statusit diplomatik për personelin e qendrës humanitare ruse në qytetin e Nishit. Sipas Jakshiqit kjo është absurde.

Tashmë kam premtuar se nëse punëtorët humanitarë rusë fitojnë status diplomatik, unë do të kërkoj pasaporta diplomatike për të gjithë zjarrfikësit serbë”, thotë Jakshiq.

Një vizitë aktuale e zyrtarëve perëndimorë në Serbi ka konkluduar se Qendra humanitare në Nish, tash për tash nuk shfrytëzohet si bazë për operacione sekrete ushtarake dhe të inteligjencës, por mbetet shqetësimi se ajo mund të kryejë veprime të tjera.

Derisa presidenti Vuçiq duket se është kundër kësaj (dhënies së imunitetit diplomatik për punëtorët rusë), vizita e planifikuar për tetor e kryeministrit rus, Dmitry Medvedev, qartazi është anuluar për shkak se marrëveshja lidhur me këtë qendër humanitare ka dështuar, ka shumë njerëz në Beograd, të cilët e mbështesin këtë dhe lëvizjet e ngjashme për ta qetësuar Moskën”, thotë Jakshiq.

Qendra humanitare në Nish paraqet dilemën reale dhe në rritje të Serbisë, e cila është zënë ndërmjet asaj që Jakshiq e përshkruan si interes të vetin real ekonomik dhe strategji, që është integrimi evropian, dhe zëri i fuqishëm i orkestrës së fuqishme të Putinit në Beograd.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG