Ndërlidhjet

Orban thotë se Trumpi do ta ndërpresë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë të premten se Ukraina e ka humbur tashmë luftën kundër pushtimit rus dhe se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do ta ndërpresë mbështetjen e SHBA-së për Kievin.

Orbani është nikoqir i një samiti dyditor në kryeqytetin hungarez Budapest, ku lufta në Ukrainë do të jetë lartë në agjendë në tubimin e së premtes të liderëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, shumica e të cilëve besojnë se vazhdimi i furnizimit të Ukrainës me armë dhe ndihmë financiare janë elemente të rëndësishme për sigurinë e kontinentit.

Duke folur në radion shtetërore të premten në mëngjes, Orban – i cili është i afërt me Trumpin dhe presidentin rus Vladimir Putin – e përsëriti qëndrimin e kamotshëm se duhet të shpallet armëpushim i menjëhershëm.

Ai parashikoi se Trumpi, i cili i fitoi zgjedhjet në SHBA këtë javë, do t’i japë fund luftës në Ukrainë.

“Sikur Donald Trump t’i kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara, këto dy vjet ankthi nuk do të kishin ndodhur, nuk do të kishte pasur luftë”, tha Orban.

“Gjendja në vijën e frontit është e qartë, ka ndodhur një disfatë ushtarake. Amerikanët do të tërhiqen nga kjo luftë”, shtoi ai.

Forcat ruse kanë shënuar përparime të vogla rishtazi në lindje të Ukrainës, megjithëse pozicionet në vijën e frontit kanë mbetur kryesisht stabile për muaj të tërë. Megjithatë, forcat ukrainase janë duke hasur në vështirësi t’i bjënë ballë ushtrisë ruse, e cila është më e madhe dhe e pajisur më mirë.

Mbështetja nga Perëndimi është tejet vendimtare për Ukrainën për t’u bërë barrë pasojave të luftës. Pasiguria për atë se sa do të zgjasë kjo ndihë u rrit këtë javë, pas fitores së Trumpit në zgjedhje.

Trumpi vazhdimisht e ka kundërshtuar mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.

Gjatë takimit të enjten të liderëve evropianë në Budapest, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i kundërshtoi pretendimet e Trumpit se lufta e Rusisë me Ukrainën mund të përfundojë brenda ditës. Ukraina dhe shumë mbështetës të saj evropianë druajnë se kjo nënkupton marrëveshje paqeje sipas kushteve që i leverdisin Putinit, që përfshijnë heqjen dorë nga territori.

“Nëse do të ndodhte shpejt, do të humbiste Ukraina”, tha Zelensky.

Orbani ka kohë të gjatë që kërkon minojë përkrahjen e BE-së për Kievin dhe në vazhdimësi ka bllokuar, vonuar apo pakësuar përpjekjet e bllokut për ta furnizuar me armë dhe të holla.

Para samitit të premten, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha: “Ne duhet ta forcojmë Ukrainën, ta mbështesim atë, sepse nëse nuk e bëjmë, do të ishte sinjal i gabuar për Putinin, si dhe për disa regjime të tjera autoritare nëpër botë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG