Ndërlidhjet

Orban: Një fitore e Trumpit detyron Evropën të rimendojë ndihmën për Ukrainën


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Evropa duhet të rimendojë mbështetjen për Ukrainën nëse Donald Trump zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara, ka thënë të dielën kryeministri hungarez, Viktor Orban, meqë, sipas tij, “kontinenti nuk do të mund të përballojë vetë luftën”.

Orban kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe e ka bërë të qartë se Trump ka qëndrime të njëjta, dhe do të negocionte një zgjidhje paqësore për Ukrainën.

Ai përkrah ish-presidentin Trump, kandidatin e republikanëve për president, në garën kundër nënpresidentes aktuale, Kamala Harris, kandidate e demokratëve për presidente.

“Ne [në Evropë] duhet ta kuptojmë që nëse do të kemi një president pro-paqes në Amerikë, dhe unë jo vetëm që besoj, por po shoh edhe shifrat në atë drejtim.. nëse ndodh ajo që presim dhe Amerika do të jetë pro-paqes, atëherë Evropa nuk mund të jetë pro-luftës”, ka thënë Orban.

Ukraina do të jetë lart në agjendën e liderëve evropianë, të cilët takohen javën që vjen në Budapest, ka thënë ai, duke iu referur Komunitetit Politik Evropian dhe një takimi tjetër më joformonal të liderëve të BE-së.

“Evropa nuk mund të mbajë vetëm barrën e luftës, dhe nëse amerikanët i kthehen paqes, atëherë edhe ne duhet të adaptohemi, dhe këtë do ta diskutojmë në Budapest”, ka thënë Orban.

Rezultati zgjedhor në Shtetet e Bashkuara pritet të ketë ndikim të madh në luftën në Ukrainë dhe sigurinë e kontinentit evropian.

Orban e ka zemëruar së fundmi Brukselin, për shkak të lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe kundërshtimet e tij për ndihmën për Ukrainën, e cila përballet me pushtimin rus prej shkurtit të vitit 2022.

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka thënë në korrik se Qeveria hungareze e sheh Trumpin si “mundësues të paqes” në Ukrainë.

Në korrik, Orban dhe ekipi i tij i ka ndihmuar ekipit të Trumpit rreth politikave për familjen dhe migrimin.

Ai e ka telefonuar Trumpin të enjten për t’i uruar fat në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG