Ndërlidhjet

Opozita paralajmëron bllokimin e taksës ekologjike


Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Synimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të rrisë çmimin e karburanteve, përmes asaj që njihet si taksë ekologjike, ka bërë që opozita të paralajmërojë bllokimin e seancës së kuvendit, ku duhet të miratohet Ligji për rishikimin e buxhetit, përmes të cilit parashihet rritja e çmimit të naftës.

Një litër naftë aktualisht shitet me 61.5 denarë apo 1 euro dhe me taksën e re çmimi do të arrinte në 65 denarë apo 1.06 centë.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka thënë se me një taksë të tillë, qeveria planifikon që brenda vitit të grumbullojë deri më 30 milionë euro, që do të shfrytëzoheshin për qëllime ekologjike.

Por, partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE thotë se vendimi nënkupton të varfërisë për qytetarët edhe ashtu të goditur nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia.

“Taksa për karburantet që po aplikon Zoran Zaevi dhe LSDM-ja prej 4.13 denarë prekë drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve. Që kur Zaevi erdhi në pushtet, një litër karburant është shtrenjtuar për 14 denarë për litër (25 centë). Një familje mesatarisht në muaj do të paguajë rreth 600 denarë apo 10 euro për shumë vetëm me karburante. Qytetarët po detyrohen të paguajnë lëndë djegëse me çmime jashtëzakonisht të larta, vetëm për të mbuluar borxhet dhe kostot joproduktive të kësaj qeverie”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Nga kjo parti kanë paralajmëruar se do të përdorin të gjitha format për të pamundësuar miratimin e ligjit, qoftë përmes amendamentet apo bllokimin të ligjit në komisionet që drejtohen nga opozita, e ku fillimisht duhet të kalojë propozimi.

Një mundësi të tillë e ka paralajmëruar edhe partia tjetër opozitare maqedonase “E Majta”, e cila ka dy deputetë, që janë të njohur me bllokimin e ligjeve përmes amendamenteve.

Kundër rritjes së çmimit të karburanteve është deklaruar edhe opozita shqiptare e përbërë nga Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, e cila gjithashtu konsideron se “propozimi do të varfërojë edhe më shumë qytetarët pasi do të ketë valë të re të shtrenjtimeve”.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka pranuar se qëllimi i shumicës parlamentare është që këtë ligj ta miratojë me procedurë të shkurt, apo siç njihet ndryshe, me Yllin Evropian.

“Shërbimet ligjore të qeverisë po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së një Yllit Evropian në propozim-ligjin për taksën ekologjike për karburantet, që është në procedurë parlamentare. Unë personalisht mendoj se kjo duhet sepse është pjesë e Agjendës së Gjelbër që është preokupimi kryesor i Bashkimit Evropian, dhe sipas ndryshimeve klimatike dhe Marrëveshjes së Parisit është e qartë se është preokupim për gjithë botën”, ka deklaruar Zaev.

Por, kundër një takse të tillë janë deklaruar edhe një pjesë e ekspertëve. Alaudin Zeqiri, profesor i ekonomisë në Universitetin e Tetovës, thotë se vendimi nuk është aspak i qëlluar, duke marrë parasysh faktin se vendi ndodhet në krizë të rëndë ekonomike për shkak të pandemisë. Ai pret që një vendim i tillë të shoqërohet dhe me shtrenjtime tjera.

“Çdo ekonomi nacionale tani në periudhën e pas COVID-it bën strategji për të stimuluar situatën apo bizneset, qoftë makroekonomike apo makrofinanciare, por vendime të tilla (rritja e çmimit të natës) janë të dëmshme për ekonominë dhe për buxhetin. Nëse marrim parasysh ndërmarrje e vogla, ndërmarrjet e mesme, por edhe inkubatorët e biznesit, si dhe ato më të mëdha, karburantet janë imputi kryesor, resurs për të gjeneruar prodhimtarinë, transportin e brendshëm, transportin ndërkombëtar dhe tani vendimin për shtrenjtimin e naftës ndikon dhe në politikën e çmimeve. Pra, nëse akciza rritet kjo ka efekt disproporcional apo kjo ndikon në rritjen e politikës edhe të çmimeve tjera të prodhimeve ushqimore”, thotë Zeqiri.

Por, nga qeveria thonë se pavarësisht rritjes së çmimit të naftës, Maqedonia e Veriut mbetet me çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon ndërsa nuk pret që vendimi të shkaktojë rritje të çmimeve tjera.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG