Referendumi për marrëveshjen e emrit me Greqinë, i caktuar më 30 shtator, ka thelluar përplasjet mes partive, në veçanti pas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes se do të ndajë 1 milion euro nga buxheti i saj për fushatën, apo informimin e qytetarëve me marrëveshjen dhe përfitimet nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE.
VMRO DPMNE-ja e opozitës ka akuzuar qeverinë, përkatësisht Ministrinë e Mbrojtjes se në vend që të punoj për përmirësimin e kushteve për ushtarët, ajo shpenzon mjetet për gjëra tjera, që sipas saj, fare nuk kanë të bëjnë me ushtrinë.
“Derisa ushtarët nuk kanë ende të siguruar transportin, mbajnë uniforma të vjetruara dhe ushqehen dobët, Radmilla Sheqerinska nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes ndan1 milion euro për fushatën e referendumit për të zbukuruar marrëveshjen kapitulluese me Greqinë. Kushtet për punë në Armatë asnjëherë nuk kanë qenë më të këqija, kjo për shkakun se paratë e dedikuara për mbrojtje po shpenzohen për gjithçka tjetër, por jo edhe për ngritjen e standardit të ushtrisë”, ka deklaruar Aleksandar Nacev nga shërbimi për informim i VMRO DPMNE-së.
Por, nga Ministria e Mbrojtjes janë përgjigjur duke theksuar se këto mjete që më parë kanë qenë të planifikuara për fushatë informuese apo aktivitete të ngjashme dhe se gjitha aktivitetet kanë për qëllim realizimin e objektivit kryesor të qeverisë, anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike që është edhe synim i qytetarëve. Ngjashëm kanë reaguar edhe Lidhja Social-demokrate e kryeministrit Zoran Zaev.
“Anëtarësimi në NATO sjell standard më të mirë jetësor, më shumë para, më shumë investime, punësim dhe zhvillim ekonomik”, thotë Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.
Duke komentuar për plasjet mes partive, Albert Musliu, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i një organizate që merret me fushata zgjedhore dhe aktivitete tjera të sektorit civil, thotë se fushatë duhet të ketë dhe se i takon institucioneve që të ndajnë mjete për informimin e qytetarëve.
Ai kritikon edhe qasjen e opozitës, e cila sipas tij, ende nuk ka dënuar apo nuk është distancuar nga keqpërdorimet e bëra gjatë qeverisjes së saj, që sipas tij dëshmohet edhe nga shumë procese gjyqësore që po zhvillohen ndaj ish drejtuesve të lartë shtetëror.
“Unë mendoj se këto reagime që bëhen, më shumë janë politike se sa shqetësim për harxhimin e mjeteve publike, kjo në veçanti kur këto reagime vijnë nga një subjekt politik i cili akoma nuk është distancuar nga keqpërdorimet që janë bërë nga ana e saj gjatë qeverisjen 12 vjeçare me vendin".
"Ne kemi harxhuar me miliona euro për përmendore të cilat nuk i kanë sjellë asnjë përfitim qytetarit të Maqedonisë ndërsa tani shqetësohen për shuma parash që janë shumë herë më të vogla, e të cilat kanë të bëjnë me informimin e qytetarëve për përfitimet apo dëmet të cilat mund t'i ketë Maqedonia nëse referendumi nuk ka epilog pozitiv”, thotë Musliu.
Se sa fonde do të harxhohen për fushatë do të dihet ditën e mërkurë kur edhe qeveria do të njoftojë ndarjen e fondeve të cilat do t'ia dedikojë Kuvendit si institucion përgjegjës për shpalljen dhe mbarëvajtjen e referendumit.
Fushata për referendumin e 30 shtatorit zgjatë 20 ditë, por institucionet dhe partitë thuajse janë në fushatë që nga shpallja e referendumit më 30 korrik, madje që nga arritja e marrëveshjes me Greqinë, më 17 qershor, kur partitë nisën me akuzat për dhe kundër marrëveshjes.