Ndërlidhjet

Situata në veri: Opozita akuzon Qeverinë se ra në kurthin e Serbisë


Një seancë e Kuvendit të Kosovës
Një seancë e Kuvendit të Kosovës

Deputetë të partive opozitare në një seancë të Kuvendit të Kosovës kritikuan Qeverinë për menaxhimin e situatës në veri të vendit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, kritikoi Qeverinë e Kosovës për situatën e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, ku rrugët janë të barrikaduara tash e dy javë.

Çuni tha se situata në katër komunat e veriut, të banuara me shumicë serbe, është jashtë kontrollit “për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës”.

“Sot veç një detyrë e ka kjo qeveri, të mos vazhdojë të bjerë më në kurthet e kundërshtarit [Serbisë]”, u shpreh Çuni.

Ai tha se veprimet e Qeverisë kanë rrezikuar edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Më 8 dhjetor, para vendosjes së barrikadave në veri ishte plagosur një zyrtar i Policisë së Kosovës.

Duke iu referuar situatës në veri, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, tha se veprimet e qytetarëve serbë në veri, të sponsorizuara nga Serbia “nuk e trembin dhe nuk kanë kurrfarë efekti për Kosovën”.

Ai i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të dalë nga “kurthi” që sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka përgatitur.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu, tha se përmes tensionimit të situatës në veri “Serbia po kërkon të vazhdojë luftën, të cilën e humbi dekada më parë”.

Aliu tha se situata e tanishme nuk do të tolerohet pafundësisht.

Më 10 dhjetor, grupe të serbëve në veri ngritën barrikada në rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria e Kosovës i ka kërkuar KFOR-it që të largojë barrikadat, ndërkaq ka thënë se ka kapacitete që këtë gjë ta bëjë edhe vetë.

Më 22 dhjetor, mijëra qytetarë serbë morën pjesë në një protestë në fshatin Rudarë të Zveçanit. Ata i vendosën disa kushte për largimin e barrikadave, përfshirë lirimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili u arrestua si i dyshuar për organizim të sulmeve terroriste në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG