Ndërlidhjet

Ligjvënësit opozitarë gjeorgjianë sfidojnë Ligjin për “agjentët e huaj”


Protestë në Tbilisi kundër Ligjit për "agjentët e huaj". Fotografi ilustruese nga arkivi.
Protestë në Tbilisi kundër Ligjit për "agjentët e huaj". Fotografi ilustruese nga arkivi.

Dhjetëra ligjvënës në Gjeorgji thanë më 22 korrik se kanë ndërmarrë hapa për të sfiduar Ligjin kontrovers të miratuar së fundi për “agjentët e huaj”, që ka vënë në rrezik aspiratat e shtetit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Ligjvënësit opozitarë kanë ngritur një padi për të sfiduar ligjin, një hap i rëndësishëm para se të mund ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese të shtetit.

Ligji për “agjentët e huaj” – që është i ngjashëm me ligjin e miratuar një dekadë më parë në Rusi – u paraqit para Parlamentit nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, dhe u miratua në maj dhe qershor, pavarësisht vetos së presidentes dhe protestave për javë të tëra.

Partia e vetme opozitare në Parlament, Girchi, ka refuzuar t’iu bashkohet ligjvënësve të tjerë opozitarë në këtë lëvizje, duke thënë se Gjykata Kushtetuese nuk është e pavarur dhe se nuk ka kuptim që të dërgohet ligji për interpretim.

Presidentja Salome Zurabishvili, e cila ka kritikuar ashpër ligjin. Ajo e ka dërguar ligjin në Kushtetuese më 16 korrik.

Në maj, disa organizata joqeveritare në Gjeorgji po ashtu thanë se do ta sfidojnë ligjin në fjalë para Gjykatës Kushtetuese dhe do të paraqisnin një ankesë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ëndrra Gjeorgjiane, që ka shumicën në Parlament, rrëzoi veton e Zurabishvilit më 28 maj.

Më 4 qershor, kryetari i Parlamentit nga Ëndrra Gjeorgjiane, Shalva Papuashvili, e nënshkroi projektligjin në ligj.

Më 24 qershor, shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku evropian do të reduktojë kontaktet politike me Gjeorgjinë dhe do ta shqyrtojë mundësinë e ngrirjes së ndihmës financiare për Qeverinë në Tbilisi, për shkak të shtyrjes përpara të këtij ligji.

“Nëse Qeveria nuk ndryshon kursin e veprimit, Gjeorgjia nuk do të bëjë përparim në rrugën drejt BE-së”, tha Borrell.

Ligji kërkon që organizatat mediale dhe ato të shoqërisë civile që marrin mbi 20 për qind të fondeve të tyre nga jashtë, t’iu nënshtrohen mbikëqyrjes dhe mund të përballen me sanksione për krime penale, ende të paspecifikuara.

Si BE-ja ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Ëndrrën Gjeorgjiane se injorimi i kritikave dhe shtypja e dhunshme e protestave do të kenë pasoja negative.

Ëndrra Gjeorgjiane insiston se është e përkushtuar që shtetit të anëtarësohet në institucionet perëndimore, dhe thotë se ligji ka për synim të rrisë transparencën lidhur me financimin e organizatave joqeveritare.

Por, qeveritë perëndimore dhe organizatat kanë paralajmëruar Qeverinë gjeorgjiane se rruga drejt BE-së e Tbilisit – që ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor – mund të bllokohet nëse ligji hyn në fuqi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG