Shërbimet e operatorit më të madh të telefonisë mobile në Ukrainë, Kivstar, janë ndërprerë, si pasojë e një sulmi të madh kibernetik më 12 dhjetor.
Sulmi i hakerëve shkaktoi pengesa të mëdha në komunikim në gjithë vendin dhe i la miliona njerëz pa shërbime telefonike dhe të internetit mobil në vendin e shkatërruar nga lufta.
“Mëngjesin e sotëm ishim cak i një sulmi të fuqishëm të hakerëve. Sulmi shkaktoi prishje teknike të cilat e bënë të pamundur komunikimin përmes telefonisë mobile dhe qasjen në internet”, tha Kivstar në një komunikatë për media.
Shefi ekzekutiv i Kivstar, Oleksandr Komarov, tha për televizionin ukrainas se u nevojit fikja e rrjetit në mënyrë që, siç tha ai, të parandalohej “qasja e armikut” në të.
Raportohet se si pasojë e sulmit kibernetik më shumë se 24 milionë përdorues mbetën pa shërbime interneti dhe telefoni.
“[Sulmi] e dëmtoi shumë infrastrukturën e [IT] dhe e kufizoi qasjen. Ne nuk ishim në gjendje ta luftonim atë në nivel virtual, prandaj e fikëm Kivstarin fizikisht në mënyrë që t’ia kufizonim qasjen armikut”, tha Komarov.
Agjencitë për sundimin e ligjit, përfshirë Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës, janë duke u marr me incidentin, tha Komarov, duke shtuar: “Kjo është luftë, jo vetëm në fushëbetejë, por edhe në hapësirat virtuale dhe, fatkeqësisht, ne jemi duke u sulmuar në këtë luftë”.
Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se e ka nisur një hetim ndaj sulmit kibernetik, duke thënë se po i heton “ndërhyrjet e pasanksionuara në aktivitetet e rrjeteve sociale, krijimin e një malware [një softueri qëllimkeq], cenimin e integritetit territorial të Ukrainës, tradhtinë e lartë, sabotimin, kryerjen e një lufte agresive, shkeljen e ligjit të luftës dhe pjesëmarrjen në aktivitete e një grupi kriminal”.
Raportohet se Rusia ka tentuar vazhdimisht t’i përdorë sulmet kibernetike kundër Ukrainës prej se e nisi pushtimin e paprovokuar të saj në shkurt të vitit 2022.