Varianti Omicron i koronavirusit po shpërndahet shpejt në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka gjasa të bëhet varianti dominant i sëmundjes COVID-19 deri në mes të këtij muaji.
Kështu ka thënë Agjencia e Mbretërisë së Bashkuara për Sigurinë Shëndetësore, të premten (10 dhjetor).
Të dhënat nga Mbretëria e Bashkuar konfirmojnë se omicroni është më lehtë i transmetueshëm se variantet e tjera, sipas agjencisë.
Studime të tjera sugjerojnë se vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer janë më pak efektive në parandalimin e infeksioneve me simptoma tek njerëzit e ekspozuar ndaj Omicronit edhe pse të dhënat preeliminare thonë se efektiviteti rritet nga 70 deri në 75 për qind pas dozës përforcuese të vaksinës.
Të dhënat e fundit thonë se më 8 dhjetor janë regjistuar 568 raste që mund të jenë me variantin Omicron derisa një javë më parë kishin qenë vetëm dy raste.
“Edhe një herë, ne bëjmë thirrje që të gjithë ata që mund të marrin një dozë përforcuese të vaksinës, ta bëjnë atë”, tha Jenny Harries, shefja ekzekutive e agjencisë.
Agjencia ka thënë se të dhënat e tyre duhet të trajtohen me kujdes pasi gjetjet janë të bazuara në analiza të hershme në numër të vogël të rasteve.
Në veçanti, agjencia tha se shkencëtarët nuk e dijnë se sa efektive do të jenë vaksinat për të parandaluar një sëmundje të rëndë te personat e ekspozuar ndaj variantit Omicron, edhe pse thonë se pritet të jetë konsiderueshëm më i lartë se mbrojtja ndaj infektimeve të lehta.