Ndërlidhjet

OKB: Izraeli dhe palestinezët mund të kenë shkelur ligjet në sulmet e fundit


Ushtria izraelite duke hedhur një raketë në drejtim të Rripit të Gazës.
Ushtria izraelite duke hedhur një raketë në drejtim të Rripit të Gazës.

Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se ushtria e Izraelit mund të ketë kryer krime lufte në Gaza dhe se militantët palestinezë të Hamasit, gjithashtu kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare humanitare, teksa kanë hedhur raketa në drejtim të Izraelit.

Michelle Bachelet i bëri këto komente më 27 maj, teksa iu adresua një sesioni të posaçëm të Këshillit për të drejtat e njeriut të OKB-së, mbledhje që u thirr me kërkesë të shteteve myslimane, të cilat dëshirojnë që të nisë një hetim lidhur me konfliktin e fundit në Gaza, por edhe për situatën e të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

Para se të arrihej marrëveshja e armëpushimit javën e kaluar, Bachelet tha se zyra e saj ka verifikuar vdekjen e 270 palestinezëve në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, përfshirë edhe 68 fëmijë, të cilët vdiqën nga dhuna gjatë këtij muaji. Nga raketat e lëshuara nga Hamasi janë vrarë dhjetë izraelitë.

Gjatë luftës 11-ditore, sulmet ajrore izraelite në zonat e banuara në Rripin e Gazës “rezultuan me numër të lartë të vdekjeve dhe plagosjes së civilëve, dhe me shkatërrime të infrastrukturës civile”, tha Bachelet.

“Pavarësisht pretendimeve të Izraelit se në shumicën e atyre ndërtesave kishte grupe të armatosura ose se ato përdoreshin për qëllime ushtarake, ne nuk kemi asnjë dëshmi për këto pretendime”, tha Bachelet.

“Nëse vërtetohet se këto sulme kanë qenë pa dallim dhe disproporcionale, sulme të tilla mund të konstituojnë në krime lufte”, shtoi ajo.

Ambasadorja e Izraelit në OKB, Meirav Eilon Shahar tha se Hamasi është “një organizatë terroriste, xhihadiste dhe gjenocidiale” dhe e akuzoi këtë grup për kryerje të krimeve të luftës, duke përdorur civilët si mburoja njerëzore.

Hamasi ka mohuar se ka përdorur civilët si mburoja njerëzore dhe ka justifikuar hedhjen e raketave në Izrael, duke thënë se këtë e ka bërë për të mbrojtur palestinezët kundër shtypjes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG