Ndërlidhjet

OKB: Fëmijët në Gazë po përballen me kushte të tmerrshme


Një grua dhe tre fëmijë duke kaluar afër ndërtesave të shkatërruara në Rafah, në jug të Rripit të Gazës më 20 dhjetor 2023.
Një grua dhe tre fëmijë duke kaluar afër ndërtesave të shkatërruara në Rafah, në jug të Rripit të Gazës më 20 dhjetor 2023.

Fëmijët në Gazë po vuajnë nga “kushtet e tmerrshme” dhe territori i përfshirë nga lufta vazhdon të jetë vendi më i rrezikshëm në botë për fëmijët. Kështu deklaroi zëvendësshefi i agjencisë për fëmijët i Kombeve të Bashkuara.

Ted Chaiban, pas përfundimit të vizitës treditore në Gazë, tha se që nga vizita e tij paraprake në këtë territor dy muaj më parë “situata ka shkuar nga katastrofike në buzë kolapsit”.

Nëse vazhdon ky trend i përkeqësimit të kushteve, “ne mund të shohim vdekje si pasojë e konfliktit pa dallim të shoqëruara me vdekje për shkak të sëmundjeve dhe urisë”, tha përmes një deklarate zëvendësshefi i UNICEF-it.

Chaiban tha se të martën ishte takuar me një vajzë 11-vjeçare, e quajtur Sama, në spitalin al-Nasser në Han Junis. Ajo po luante me miqtë e saj kur një copëz e predhës e goditi në stomak, duke bërë që ajo të humbte shpretkën. Tani, tha ai, sistemi i saj imunitar është komprometuar “në një zonë lufte të mbushur me sëmundje dhe infeksione”.

Dhjetë minuta më vonë, tha ai, u takua me Ibrahimin, 13 vjeç, i cili kishte qenë duke u strehuar në një zonë të cilësuar të sigurt, kur gjithçka kolapsoi. Dora e tij, që u lëndua rëndë, nuk u trajtua, dhe më pas plaga iu shndërrua në gangrenë dhe mjekët ia amputuan krahun.

“Disa orë pasi ne u larguam, shumë familje u larguan nga spitali al-Nasser, pasi luftimet u afruan më afër zonës”, tha Chaiban.

Lufta “ndaj fëmijëve” duhet të ndalojë, tha ai, duke përmendur shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Kjo ministri ka raportuar për pothuajse 25.000 persona të vrarë që nga nisja e luftës më 7 tetor, duke thënë se 70 për qind e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG