Ndërlidhjet

Guterres kërkon qasje të inspektorëve ndërkombëtarë në centralin e Zaporizhjas


Centrali në Zaporizhja.
Centrali në Zaporizhja.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje që inspektorëve ndërkombëtarë t’u jepet qasje në centralin bërthamor të Zaporizhjas.

Kjo thirrje më 8 gusht e shefit të OKB-së u bë pasi Ukraina dhe Rusia shkëmbyen akuza lidhur me granatimet gjatë fundjavës në centralin më të madh bërthamor në Evropë.

“Çdo sulm në centralin bërthamor do të ishte një akt i vetëvrasjes”, tha Guterres gjatë një konference në Japoni.

Guterres i bëri këto komente pasi gjatë fundjavës vizitoi Hiroshimën, ku mbajti fjalim në 77-vjetorin e sulmit të parë me bombë bërthamore në botë.

Ukraina tha se granatimet e reja ruse, që nisën më 6 gusht, kanë dëmtuar tre sensorë të rrezatimit dhe është lënduar një punëtor në centralin bërthamor të Zaporizhjas, që ishte dita e dytë e grantimeve mbi këtë central.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se po kryen “terror bërthamor” që, sipas tij, duhet të nënkuptojë më shumë sanksione ndërkombëtare, këtë herë në sektorin bërthamor të Moskës.

“Nuk ka shtet në botë që mund të ndihet i sigurt kur një shtet terrorist sulmon një central bërthamor”, tha Zelensky gjatë një adresimi televiziv më 7 gusht.

Centrali bërthamor i Zaporizhjas gjendet rreth 200 kilometra në veriperëndim të Mariupolit, që kontrollohet nga rusët. Ky central ka qenë nën mbikëqyrjen ruse qëkur trupat e Moskës e morën nën kontroll në fillim të luftës. Por, stafi ukrainas ka vazhduar të operojë me centralin.

Autoritetet e instaluara nga Rusia në këtë zonë kanë thënë se forcat ruse kanë goditur centralin me granatahedhës, duke dëmtuar ndërtesat administrative dhe një zonë afër një depoje. Ambasada ruse në Uashington, po ashtu, ka lëshuar një deklaratë duke fajësuar “nacionalistët ukrainas” për këtë dëm.

Luftimet në Zaporizhja kanë alarmuar botën.

Guterres tha se Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), duhet të ketë qasje në këtë central.

“Ne mbështesim plotësisht AIEA-n në përpjekjet e tyre në lidhje me krijimin e kushteve për stabilizimin e centralit”, tha Guterres.

Shefi i IAEA-s, Rafael Mariano Grossi, paralajmëroi më 6 gusht se sulmet e fundit “paraqesin një rrezik shumë real për katastrofë bërthamore”.

Grossi u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt që të “tregojnë përmbajtje” pranë këtij centrali bërthamor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG