Ndërlidhjet

OBSH: Mbi 14.000 të zhvendosur nga luftimet në Harkiv


Evakuimi i banorëve të rajonit të Harkivit. 12 maj 2024.
Evakuimi i banorëve të rajonit të Harkivit. 12 maj 2024.

Më shumë se 14.000 persona janë zhvendosur ditëve të fundit nga rajoni lindor ukrainas i Harkivit, ku Rusia më 10 maj nisi një ofensivë tokësore, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Gjatë kësaj ofensive, forcat ruse kanë bërë përparimin më të madh në Ukrainë në të paktën 18 muaj.

“Gjatë dy javëve të fundit, luftimet në rajonin e Harkivit në Ukrainë janë përshkallëzuar rëndë”, tha në një konferencë për media përmes video-lidhjes përfaqësuesi i OBSH-së në Ukrainë, Jarno Habicht.

“Më shumë se 14.000 persona janë zhvendosur brenda ditësh dhe pothuajse 189.000 ende gjenden brenda perimetrit prej 25 kilometrash në kufi me Federatën Ruse, duke u përballur me rreziqe të mëdha për shkak të luftimeve që po vazhdojnë”, shtoi ai.

Habicht tha se agjencia e Kombeve të Bashkuara për shëndetësi i ka siguruar këto shifra pas bisedave që ka zhvilluar me autoritetet lokale.

“Me përkeqësimin e situatës së sigurisë, po rriten nevojat humanitare në rajon”, theksoi ai.

Konflikti në Harkiv “ka rritur ndjeshëm numrin e pacientëve të plagosur”, shtoi ai.

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Sipas OBSH-së, që nga nisja e luftës janë kryer më shumë se 20.000 amputime. Habicht tha se mesatarisht në vit, 200 autoambulanca janë dëmtuar apo shkatërruar nga granatimet “duke u mohuar ukrainasve kujdesin urgjent shëndetësor”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG