Ndërlidhjet

Ndërtimet e egra, "vrimë e errët" për sigurinë e objekteve në Maqedoninë e V.


Demolimi i një objekti pa leje në Shkup. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Demolimi i një objekti pa leje në Shkup. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Në aspektin ligjor, Maqedonia e Veriut i plotëson standardet e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian në ndërtimin e objekteve rezistuese nga tërmetet, por sfidë mbetet respektimi i tyre në praktikë.

Goran Markovski, dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin Shën Qirili dhe Metodi, thotë për Radion Evropa e Lirë se investitorët arrijnë t’i shmangen respektimit të plotë të ligjeve, falë mungesës së kontrolleve të vazhdueshme në teren nga ana e autoriteteve zyrtare për inspektim.

“Ligjet në Maqedoninë e Veriut respektohen, por jo plotësisht, ashtu siç nuk respektohen plotësisht edhe procedurat në lëmin e ndërtimtarisë...”, thotë Markovski.

Isak Idrizi, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin Nënë Tereza thotë se duhet krijuar kultura e përgjegjësisë gjatë ndërtimit duke respektuar çdo pjesë të këtij zinxhiri, nga përgatitja e dokumentacionit për leje ndërtimi, deri në dorëzimin e objektit të ndërtuar.

“Unë kam shumë druajtje pasi në realizimin e objekteve në punishte nuk respektohen kriteret e ndërtimit siç duhet. Nga ana formale është e rregulluar çështja e bashkërendimit të më shumë instancave gjatë ndërtimit, por në praktikë çalojmë”, thotë ai, dhe shton se ende ka “vetëdije të ulët për pasojat” e këtyre ndërtimeve.

Për Markovskin, problem sa i përket qëndrueshmërisë së objekteve afariste dhe atyre të banimit paraqesin ndërtimet e egra, të cilat siç thotë ai , janë “vrimë të errët” në lëmine e ndërtimtarisë.

Ai thotë se këto ndërtime, meqë bëhen ilegalisht, kryhen pa filtrin e inspektimeve në respektimin e projektit dhe cilësisë së materialit ndërtimor.

“Për sa i përket kualitetit, pasi askush nuk ka qasje gjatë ndërtimin të objekteve të egra, është shumë vështirë të flitet për cilësinë e ndërtimit. Mbase mund të këtë përjashtime ku respektohen standardet, por në përgjithësi këto objekte lënë për të dëshiruar”, thotë Markoski.

Ndërsa Idrizi thotë se krahas respektimit të ligjeve për ndërtim, duhet hapur rrugë ligjore për vendosjen e sistemeve për mbrojtjen sizmike të strukturës së objekteve, që sipas tij, në atë rast objektet mund të pësojnë dëmtime, por do të mbeten të qëndrueshme.

“Në shumë vende të botës këto elemente tashmë instalohen, për urat, spitalet si dhe objektet shumëkatëshe... Kjo zbatohen në vendet e zhvilluara të botës, por tek ne akoma as që flitet për këtë”, thotë ai.

Inspektorati Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm thotë se nën kompetencë të këtij institucioni është kontrollimi i procedurave për dhënien e lejes së ndërtimit. me të gjitha procedurat për mbrojtjen sizmike, si dhe kontrollin e punës së mbikëqyrjes për objektet me rëndësi për Maqedoninë e Veriut.

Ata thonë se sfidë ne vete mbeten ndërtimet pa leje, si dhe objektet që janë legalizuar përmes Ligjit për trajtimin e objekteve të paligjshme.

Inspektorati shton se vazhdimisht ka apeluar që të mos lejohet legalizimi i objekteve të egra me vetëm me raport gjeodezik, duke theksuar se statika, gjegjësisht qëndrueshmëria sizmike janë ato që garantojnë sigurinë e objekteve në plan afatgjatë.

“Me fjalë të tjera, Ligji i ri për legalizimet nuk duhet të lejohet të përmbajë sërish nene në kundërshtim me Ligjin për ndërtimet, sa i përket rezistencës mekanike, qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes sizmike. Të mos lejojmë që pamjet nga Turqia dhe Siria të shihen në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në përgjigjen e tyre për REL-in.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG