Viti shkollor në komunat në veri të Kosovës do të fillojë më 1 shtator në institucionet arsimore dhe nuk do të ketë mësim online, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë drejtori i Shkollës së Mesme Teknike në Leposaviq, Sllagjan Radoviq.
Siç tha ai, për këtë janë njoftuar nga administrata e shkollës për Kosovën, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit në Qeverinë e Serbisë. Institucionet arsimore në komunitetet serbe në Kosovë punojnë brenda sistemit serb.
Disa prindër nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës javën e kaluar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë shprehën shqetësimin se viti shkollor mund të fillojë në një format online për “shkaqe sigurie”.
Mirëpo, drejtori Radoviq pohon se bëhej fjalë për “dezinformim” dhe se nxënësit do të kthehen sërish në bankat e shkollës.
“Çdo lloj mësimi tjetër, përveç atij të menjëhershëm, do të ishte i keq, para së gjithash, për studentët”, thotë ai.
Ndryshe, mësimi në komunat në veri të Kosovës – Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – u ndërpre në fund të majit kur u ngritën tensionet për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale përmes ndihmës së policisë.
Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit u përplasën me anëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.
Institucionet arsimore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë të vendosura në afërsi të objekteve komunale ku ende ndodhet Policia e Kosovës, ndërsa aty pranë janë edhe pjesëtarët e KFOR-it.
Drejtori i shkollës së mesme në Leposaviq, Sllagjan Radoviq, thekson se nga 1 shtatori, KFOR-i duhet të garantojë sigurinë e fëmijëve që shkojnë në shkollë.
Para majit të këtij viti, mësimi në komunat në veri të Kosovës ishte ndërprerë edhe më herët për shkak të “përkeqësimit” të situatës së sigurisë, kur u ngritën barrikada për të mos e lejuar zbatimin e një vendimi nga autoritetet kosovare.