Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave me postë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.
Nga 47.34 për qind e votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka fituar më së shumi vota, përkatësisht 14.432 apo 51.34 për qind.
Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e dytë me 8.360 vota të fituara apo 29.74 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 8.12 për qind apo 2.283 vota të fituara.
Sipas rezultateve të publikuara online nga autoritetet zgjedhore, në vendin e katërt gjendet koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 1.167 vota apo 4.15 për qind.
Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se ka aprovuar më shumë se 63.000 pako, që supozohet se janë me fletëvotime.
Për votimet e 9 shkurtit, përveç votimit me postë, qytetarët janë vendit për herë të parë kanë mundur të votojnë edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike.
Numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike ka përfunduar dhe sipas KQZ-së, LVV mori më së shumti vota, përkatësisht 12.261 vota apo 80.71 për qind.
Pas përfundimit të numërimit të votave me postë do të vazhdojë numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, duke mundësuar certifikimin e rezultateve dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja.
Përveç votave nga përfaqësitë diplomatike, në Kosovë fillimisht ka përfunduar numërimi i votave të rregullta. Sipas rezultateve preliminare të votimit të rregullt, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80 për qind të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64 për qind të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46 për qind të votave të fituara. Nga partitë e komunitetit serb, më së shumti vota ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62 për qind.