Përzgjedhja e drejtuesve të institucioneve brenda organeve të partisë është në kundërshtim të plotë me vlerat demokratike, thonë organizatat joqeveritare dhe njohës të çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tyre, në krye të institucioneve duhet të zgjidhen profesionistë e jo persona për të cilët vendos kryesia e partisë.
Komentet vijnë pasi partia shqiptare Alternativa, gjatë fundjavës, ka bërë të ditur listën e emrave që do të drejtojnë ndërmarrje publike dhe agjenci, të tilla si kompania energjetike MEPSO, ajo e Hekurudhave, drejtoria e Librave Amë, Spitali Klinik i Tetovës, Fondi Pensional, Agjencia për Investime të huaja etj., krahas emrave që do t’i drejtojnë edhe tri ministri.
Ndarja e posteve vjen si rrjedhojë e marrëveshjes që Alternativa t’i bashkëngjitet shumicës parlamentare, pas largimit nga Qeveria të partisë tjetër shqiptare, Besa.
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, gjatë bisedimeve me kryeministrin në largim të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se krahas mbështetjes së Qeverisë për t’i dhënë shans procesit integrues në Bashkimin Evropian, është biseduar edhe për ndarjen e më shumë drejtorive, për t’u drejtuar nga kjo parti.
Dy partitë e tjera që përbëjnë shumicën parlamentare, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, kanë deklaruar se këto kuadro janë të pranueshme për to.
Por, Arsim Sinani, analist dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë se kjo “është nebulozë e një shoqërie, e cila ka probleme me higjienën morale” dhe me “vlerësimin e vlerave”.
“Prandaj, nuk kemi meritokraci, por kemi autokraci. Kjo flet për gjendjen e demokracisë në Maqedoninë e Veriut”, thotë për Radion Evropa e Lirë Sinani.
Sipas tij, caktimi i këtillë i drejtuesve të institucioneve bën që ata t’u japin llogari drejtuesve të partive që i kanë deleguar, e jo institucioneve përkatëse, të cilat janë të thirrura të inspektojnë punën e tyre.
“Prej këtu [v.j. përzgjedhja e drejtuesve të institucioneve në organe të partisë] fillon i gjithë devijimi i procesit të llogaridhënies. Prandaj, jemi shtet me demokraci të brishtë dhe Maqedonia e Veriut konsiderohet si vend i çudirave, ku brenda natës mund të zgjidhesh të drejtosh çdo institucion, pavarësisht se mund mos kesh përgatitje adekuate profesionale”, thotë Sinani.
Misha Popoviq, nga Instituti për Demokraci Societas Civilis, i cili ka realizuar edhe një analizë për përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të flitet për profesionalizëm të institucioneve përderisa për drejtuesit e tyre, vendos politika.
Popoviq thotë se përzgjedhja e këtillë ka bërë që në konkurset publike të mos paraqitet asnjë kandidat, pasi të gjithë e dinë se drejtuesit e tyre janë caktuar shumë më herët nga vetë partitë politike.
“Qeveria, gjatë procesit të emërimit të drejtorëve në institucione të caktuara, shfrytëzon mekanizmat si ushtrues detyre, ose afate tejet të shkurtra të shpalljeve për të zvogëluar, përkatësisht për të shmangur konkurrencën e profesionistëve gjatë zgjedhjes së personave që do të duhet t’i drejtojnë institucionet”, thotë Popoviq.
Ai nënvizon se analiza që ka realizuar instituti i tij pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, ka nxjerrë në pah se 55 për qind e drejtorëve në institucionet publike në Maqedoninë e Veriut, nga 116 gjithsej, “janë pa asnjë ditë përvojë pune” ose “posedojnë përvojë minimale për të udhëhequr drejtoritë ku janë emëruar”.
Popoviq thotë se duhet të ndiqen praktikat e vendeve evropiane, ku vetëm radhët e para dhe të dyta zgjidhen nga politika, përderisa në garë për drejtimin e institucioneve futen profesionistë të sferave të caktuara.
“Nëse Qeveria vërtet dëshiron të promovojë dhe të angazhohet për qeverisje të mirë, atëherë duhet të krijojë kushte për profesionalizimin e pozitave udhëheqëse, përmes një procesi që do t’i nxiste profesionistët të konkurrojnë për pozitat udhëheqëse në ndërmarrjet publike”, thotë Popoviq.
Ligji për shërbimin e lartë udhëheqës, edhe pse ka më shumë se dy vjet që është paralajmëruar nga Qeveria si mekanizëm për profesionalizmin e institucioneve, nuk është miratuar.
Përmes këtij ligji, autoritetet qeveritare janë zotuar se do të mundësohet që sekretarët dhe drejtorët e institucioneve shtetërore të zgjidhen në bazë të meritave dhe aftësive profesionale, e jo për shkak të afërsisë së tyre me parti të caktuara politike.