Në Novi Sad të Serbisë, 14 persona kanë vdekur pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor, bëri të ditur Zyra e Prokurorit Publik në Novi Sad.
Nga trupat e pajetë që u nxorrën nga rënojat, shtatë prej tyre janë identifikuar. Dy nga viktimat ishin gra dhe pesë burra, tha Prokuroria.
Autoritetet serbe bënë të ditur se në Qendrën Klinike në Vojvodinë gjenden dy gra dhe një burrë, identiteti i të cilëve ende nuk dihet.
Më herët, drejtuesja e kësaj qendre, Vesna Turkollova, tha se tre pacientë janë në gjendje të rëndë.
Ekipet e shpëtimit ende po vazhdojnë operacionet në stacionin hekurudhor në Novi Sad, qytetin e dytë më të madh në Serbi.
Për shkak të ngjarjes në Novi Sad, 2 nëntori është shpallur ditë zie në Serbi, njoftoi Qeveria serbe. Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se kjo është një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës të Novi Sadit.
“Ne do të insistojmë që të gjithë përgjegjësit të gjenden dhe ata që janë përkujdesur për gjendjen e kësaj strukture dhe të kësaj ndërtese të mbahen përgjegjës”, tha kryeministri serb.
Ai tha se streha që u shemb ishte ndërtuar në vitin 1964.
Ky stacion hekurudhor ishte ndërtuar më 1964. Më 2024, pas rikonstruktimit për tre vjet, ky stacion u hap sërish. Më 5 korrik, në hapjen e objektit të rindërtuar kishte marrë pjesë edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Goran Vesiq, kryetarja e Qeverisë Krahinor Maja Gojkoviq dhe kryetari i Komunës së Novi Sad, Millan Gjuriq.
Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë bëri të ditur se streha që u shemb “nuk ka qenë subjekt i rindërtimit në kuadër të punimeve për rinovimin e objektit të stacionit në kuadër të projektit të ndërtimit të linjës së shpejtësisë së lartë Novi Sad-Suboticë”.
Siç u tha në njoftimin e kësaj kompanie, në kuadër të rikonstruksionit është punuar në pjesën e brendshme e stacionit, çatisë dhe fasadës sipër dhe poshtë strehës.
Kontraktori për rikonstruktimin ishte konsorciumi kinez CRIC&CCCC (China Railway International Co.Ltd) dhe China Communications Construction Company Ltd.