Çmimi Nobel për Mjekësi u është ndarë shkencëtarëve që e kanë zbuluar teknologjinë mRNA për vaksinat kundër koronavirusit.
Katalin Kariko dhe Drew Weissman do ta ndajnë çmimin e këtij viti.
Kjo teknologji ka qenë eksperimentale para pandemisë së koronavirusit, mirëpo me të janë krijuar vaksina për miliona njerëz në botë.
Teknologjia e njëjtë - mRNA - po synohet të përdoret edhe për sëmundje tjera, përfshirë edhe kancerin.
“Laureatët kanë kontribuuar në nivel të pashembullt për zhvillim të vaksinës, në kohën e përballjes me një prej rreziqeve më të mëdha për shëndetin e njerëzve në kohët moderne”.
Vaksinat me këtë teknologji e trajnojnë sistemin imunitar për t'i njohur edhe për t’i luftuar viruset apo bakteret.
Teknologjia tradicionale për prodhim vaksinash është bazuar në viruse të vdekura apo të dobësuara dhe me to është luftuar një virus.
Mirëpo mRNA njihet për një qasje krejt ndryshe.
Gjatë pandemisë së koronavirusit, kompanitë Moderna dhe Pfizer/BioNTech i kanë përdorur vaksinat e bazuara në teknologjinë mRNA.
Kariko dhe Weissman janë takuar në fillim të viteve ’90, sa kanë qenë duke punuar në Universitetin e Pensilvanisë në Shtetet e Bashkuara.
Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.