Ndërlidhjet

Të paktën 10 të plagosur nga të shtënat në metronë e Nju Jorkut


Personeli i emergjencave shihet pranë stacionit të metrosë në Bruklin të Nju Jorkut. 12 prill 2022.
Personeli i emergjencave shihet pranë stacionit të metrosë në Bruklin të Nju Jorkut. 12 prill 2022.

Një person i armatosur hodhi tymues dhe qëlloi ndaj qytetarëve mëngjesin e së martës në metronë e Bruklinit, në Nju Jork, thanë autoritetet. Policia tha se është ende në kërkim të sulmuesit.

Zyrtarët thanë se nga të shtënat me armë zjarri janë plagosur dhjetë persona dhe të paktën 16 persona gjithsej u plagosën në njëfarë forme në sulmin që nisi mëngjesin e 12 prillit në stacionin e Rrugës 36 në lagjen Sunset Park. Pesë persona janë në gjendje kritike, tha Komisonerja në detyrë e Zjarrfikësve të Nju Jorkut, Laura Kavanagh. Megjithatë, shefja e policisë së qytetit, Keechant Sewell tha se të gjithë të plagosurit ishin jashtë rrezikut për jetë.

Sewell shtoi se sulmi nuk po hetohet si terrorizëm, por ajo shtoi se “nuk mund të përjashtojmë asnjë mundësi”. Autoritetet ende nuk kanë identifikuar sulmuesin.

Një video e incizuar nga një pasagjerë shfaqte tym dhe njerëz duke dalë nga vagonët e trenave. Ndërkaq, fotografitë e postuara nga vendi i ngjarjes shfaqin pasagjerë të gjakosur të shtrirë në platformën e metrosë.

Associated Press raporton se bazuar në disa burime nga institucionet ligjzbatuese, që kanë njohuri për hetimet e kësaj ngjarjeje, informacionet paraprake sugjerojnë se personi i armatosur, që ka ikur nga vendi i ngjarjes, kishte të veshur një jelek sikurse të punëtorëve ndërtimor dhe kishte pasur një maskë për mbrojtje nga gazi.

Hetuesit besojnë se personi i armatosur fillimisht ka hedhur bomba tymi para se të hapte zjarr. Hetuesit po shikojnë nëse sulmuesi ka përdorur këta tymues për të shpërqendruar njerëzit para se të qëllonte mbi ta, tha një zyrtar për AP-në.

Zyrtarët policorë dhe zjarrfikësit po ashtu po hetojnë raportimet se ka pasur një shpërthim, por Sewell gjatë një konference për media tha se nuk ka pasur pajisje shpërthyese. Ndërkaq, disa pajisje tymi janë gjetur në vendin e ngjarjes, tha Fabien Levy, zëdhënës i kreut të Nju Jorkut.

Asnjë punëtorë i metrosë nuk është lënduar, është thënë në një njoftim të Unionit të Punëtorëve të Transportit. Ndërkaq, përveç plagëve nga armët e zjarrit, të plagosurit janë trajtuar edhe për shkak të thithjes së tymit, por edhe goditjes nga copëza të predhave.

Më herët, kryetari i Nju Jorkut, Eric Adams, tha se është informuar për të shtënat në stacionin në Bruklin.

“Përderisa ne mbledhim më shumë informacione, u bëjmë thirrje njujorkezëve që të qëndrojnë larg kësaj zone për sigurinë e tyre dhe në mënyrë që zyrtarët të mund të ndihmojnë ata që kanë nevojë dhe të hetojnë rastin”, shkroi në Twitter Fabrien Levy, zëdhënësi i kreut të Nju Jorkut.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, trenat në këtë stacion janë vonuar gjatë mëngjesit të së martës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG