Ndërlidhjet

Një zyrtar taliban bën thirrje për rihapje të shkollave për vajza


Sher Mohammad Abbas Stanikzai.
Sher Mohammad Abbas Stanikzai.

Anëtari i lartë i Qeverisë së udhëhequr nga talibanët në Afganistan, Sher Mohammad Abbas Stanikzai, u ka bërë thirrje liderëve të shtetit që të rihapin shkollat për vajzat pas klasës së gjatë.

Sipas Stanikzait, i cili mban pozitën e zëvendësministrit të Jashtëm, nuk ekziston arsye valide në Islam për një ndalesë të tillë.

Thirrja e tij ka ardhur gjatë një takimi që kanë mbajtur talibanët në Kabul.

Kërkesa e tij ka qenë në rrallë në mesin e masave të ashpra që kanë vendosur talibanët prej kur kanë marrë pushtetin në gusht të vitit 2021.

Masat përfshijnë ndalesë për shkollim të vajzave nga klasa e gjashtë e tutje.

Grave u kërkohet të vendosin mbulesë nga koka deri te këmbët dhe që t’iu shihen vetëm sytë.

Talibanët kanë thënë se janë duke punuar në një plan për të rihapur shkollat për vajzat, mirëpo nuk ka dhënë ndonjë afat kohor.

Kombet e Bashkuara e kanë konsideruar ndalesën “të turpshme”.

Ndonëse janë bërë më shumë se një vit prej ardhjes në pushtet, asnjë shtet në botë nuk e ka njohur udhëheqësinë e talibanëve deri më tani.

“Është shumë e rëndësishme që edukimi t’i ofrohet secilit, pa diskriminim”, ka thënë Stanikzai.

“Gratë duhet të edukohen, nuk ka ndalesë në Islam për edukim të vajzave”.

“Le të mos u japim mundësi të tjerëve që të krijojnë ndasi në mes të Qeverisë dhe njerëzve”, ka shtuar ai.

“Nëse ekzistojnë çështjet teknike, ato duhet të zgjidhen dhe shkollat për vajza duhet të hapen”.

Kombet e Bashkuara kanë thënë disa herë se janë të shqetësuara për të drejtat e grave dhe vajzave, dhe pjesës tjetër të popullatës në Afganistan.

Sipas tyre, ndalesa të tilla mund të rrisin krizën në këtë vend dhe të rezultojnë me pasiguri, varfëri dhe izolim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG