Ndërlidhjet

Ministri Sveçla njofton për krijimin e një task-force, pas vrasjes në Prishtinë


Policia e Kosovës. (Fotografi nga arkivi)
Policia e Kosovës. (Fotografi nga arkivi)

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të shtunën se do të krijohet një task-forcë e re për hetimin e krimeve të rënda, pas vrasjes së një personi dhe plagosjes së disa të tjerëve më 4 gusht në qendër të Prishtinës.

Një 39-vjeçar mbeti i vdekur dhe 17 persona u lënduan gjatë një përleshjeje me armë zjarri në qendër të Prishtinës të premten pak para mesnatës.

“Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme”, shkroi Sveçla në një reagim në Facebook më 5 gusht.

Incidenti i 4 gushtit ndodhi në lokalin “Bon Vivant” në qendër të kryeqytetit, dhe sipas policisë, erdhi pas një mosmarrëveshjeje mes disa burrave.

Svelça njoftoi se “palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale”, duke e fajësuar sistemin e drejtësisë se po i lë të lirë të dyshuarit për vepra të rënda.

“Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë”, shkroi ai.

“Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme”.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) konfirmoi vdekjen e një burri 39-vjeçar, si pasojë e plagëve të rënda.

“Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror”, njoftoi SHSKUK.

Të gjithë të plagosurit e tjerë nga ky incident janë jashtë rrezikut për jetë, tha SHSKUK.

Sipas policisë, katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) dhe me vendim të prokurorit ndalohen nën përkujdesje të policisë.

SHSKUK njoftoi se pesë persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë.

Prej tyre, katër janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare.

Sveçla reagoi edhe për dënimin me burgim të përjetshëm të Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Si dhe të Arbër Sejdiut, i cili u dënua me 15 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

“Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer”, theksoi ai.

Ai nënvizoi sesi Dardan Krivaqa nuk ishte ndëshkuar asnjëherë edhe pse kishte 135 veprat penale të mëhershme.

“Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë.”

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG