Ndërlidhjet

Një politikan serb hedh ngjyrë në muralin e Mlladiqit


Gjorgjo Zujoviq, nga Partia SocialDemokrate e Serbisë, hodhi bojë në muralin e të dënuarit për kriminel lufte Ratko Mlladiç.
Gjorgjo Zujoviq, nga Partia SocialDemokrate e Serbisë, hodhi bojë në muralin e të dënuarit për kriminel lufte Ratko Mlladiç.

Në Serbi ka vazhduar edhe të mërkurën (10 nëntor) shprehja e pakënaqësisë me vendosjen e një murali me imazhin e Ratko Mlladiqit, ish-komandant i ushtrisë serbe në Bosnje e Hercegovinë, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë.

Gjorgjo Zhujoviq, një zyrtar i Partisë Socialdemokrate të Serbisë, e cila është pjesë e pushtetit në Serbi, hodhi ngjyrë në muralin e vendosur në një rrugë qëndrore të Beogradit. Partia e Zhujoviqit bën pjesë në Qeverinë e Serbisë së bashku me Partinë Progresive serbe, të presidentit Aleksandar Vuçiq. Kreu i Partisë Socialdemokrate të Serbisë është Rasim Lajiq, që vjen nga komuniteti boshnjak në Serbi.

Më 9 nëntor Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ndaloi një tubim të organizatës Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e cila donte të shlyente muralin e Mlladiqit.

Të martën një numër i lartë i policëve qëndroi në pjesën e qytetit ku ndodhet murali.

Aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Aida Qoroviq, u ndalua të martën nga policia në Beograd, pasi hodhi vezë në mural.

Të mërkurën policia nuk ishte e pranishme në këtë lokacion.

Përmes një letre të hapur, Organizata Joqeveritare “Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi” (YIHR) tha më herët se nuk do të bëjë më përpjekje për të hequr muralin e Ratko Mlladiqit në qendër të Beogradit, siç ishte planifikuar.

Kjo organizatë tha se ka hequr dorë, pasi e kuptoi mirë deklaratën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ministrit, Aleksandar Vullin, në të cilën flitet për “fotografi të kokave të gjakosura serbe” nëse hidhet ngjyrë në muralin e Mlladiqit.

“Formacionet e tij paraushtarake, siç është (organizata ultra e djathtë) Leviatan, do të na thyenin kokat dhe policia e tij nuk do të na mbronte”, tha organizata.

Të martën, policia nuk i lejoi aktivistët t'i afroheshin muralit derisa një grup i mbështetësve të Mlladiqit u mblodhën në të njëjtin vend duke brohoritur mesazhe mbështetjeje për të.

Ministria e Brendshme tha se policia ka ruajtur rendin dhe qetësinë publike në Beograd.

Gjatë ditës, policia arrestoi gjashtë persona “për prishje të rendit dhe qetësisë publike në zonën e tubimeve të paligjshme publike”.

Në deklaratë thuhet se policia nuk e mbron muralin, por “rendin dhe qetësinë publike nga të gjithë ata që duan ta rrezikojnë atë, pavarësisht nëse janë pro heqjes së muralit apo e kundërshtojnë atë”.

Si komandant i ushtrisë serbe në Bosnje e Hercegovinë, Mlladiq është dënuar për gjenocid në Srebrenicë, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje, nga viti 1992 deri më 1995.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG