Ndërlidhjet

Autoritetet e Serbisë në kërkim të shtetasit të Kosovës për vrasjen e policit, Kurti bën thirrje për mospolitizim


Autoritetet në Serbi në kërkim të vrasësit të policit në Lloznicë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Autoritetet në Serbi në kërkim të vrasësit të policit në Lloznicë

Policia në Serbi është ende në kërkim të personit që vrau një dhe plagosi rëndë një polic tjetër në Lloznicë në Serbinë perëndimore më 18 korrik.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit - i lindur më 1991 - dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

Por, zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë.

"Është e mundur që ky është një identitet i rremë”, tha Daçiq.

Daçiq tha se vrasja është akt terrorist.

“Ky s’mund të jetë një aksident. Ky është një akt i qartë terrorist që vjen nga Kosova, nga strukturat shqiptare. Prokuroria për krim të organizuar do ta trajtojë rastin si akt terrorist sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.

Artan Hajrizi në Gjermani?

Më herët gjatë ditës, Artan Hajrizi deklaroi për mediat se gjendet në Gjermani dhe se i vëllai, Fatoni, ia ka vjedhur pasaportën e tij.

Më vonë, Daçiq tha se këto pretendime të Artan Hajrizit, janë të rreme, sepse sipas Daçiqit, nëse i vëllai ka shkuar në Gjermani, "pse është kthyer në Preshevë".

“Personi i cili i ka dokumentet në policinë tonë, Artan Hajrizi, sot në orën 11:55 ka deklaruar në policinë e Hanoverit se pardje vëllai i tij Fatoni i ka vjedhur dokumentet personale në banesën e tij në Hanover. Është një gënjeshtër klasike, sepse sipas cilës logjikë një person nga Hanoveri kthehet ilegalisht në Preshevë dhe tenton të shkojë sërish ilegalisht në Gjermani? Kjo tregon qartë se është rënë dakord më herët dhe se është një akt i organizuar”, tha Daçiq.

Ai kërkoi që policia gjermane urgjentisht duhet të përgjigjet nëse Faton Hajrizi ka qenë në Hanover dhe “si ka dalë dhe si ka përfunduar në Preshevë dhe pse, me çfarë qëllimi”.

“Pasoja e atij akti dhe organizimi terrorist është vrasja e një polici dhe për këtë kërkojmë dhe presim bashkëpunim të plotë me policinë gjermane dhe [Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë] EULEX-in dhe jo gënjeshtra që askush nuk i beson”, tha Daçiq.

Kush janë Artan dhe Faton Hajrizi?

Artan Hajrizi, një profil që u bë publik nga autoritetet e Serbisë si i dyshuar për vrasjen e një zyrtari policor në Serbi, është vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda familjes.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit (sipas autoriteteve të Serbisë), i lindur më 1991, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

Radio Evropa e Lirë ka analizuar disa nga profilet e shumta të Artan Hajrizit, në rrjetet sociale që konfirmojnë lidhjen e tij me Faton Hajrizin. REL-i po ashtu ka biseduar edhe me burime brenda familjes që kanë konfirmuar se Artani dhe Fatoni janë vëllezër.

Një prej profileve të Artan Hajrizit në rrjetin social Facebook.
Një prej profileve të Artan Hajrizit në rrjetin social Facebook.

Ky burim pretendon se “Artani gjendet në Gjermani dhe se sot ka njoftuar se dokumentet e tij nuk janë në banesë”.

“Artani nuk ka njohuri dhe as nuk ka qenë në rast. Atij i ka humbur pasaporta”.

Kontakti me Artanin nga REL-i nuk ka qenë i mundshëm deri në publikimin e këtij teksti.

Artan Hajrizi foli publikisht të enjten për portalin Insajderi përmes një videolidhjeje.

Artani, i cili pretendoi që gjendej në polici në Gjermani, tha se vëllai i tij e kishte vizituar për disa orë dhe se ia ka vjedhur dokumentet e tij identifikuese.

"Ai ka shkuar para dy ditësh. Unë dokumentet i kam lajmëruar të humbura. Unë nuk jam fajtor për këtë punë", tha Artani në këtë incizim.

Ai tha se nuk ka pasur kontakt me vëllain e tij që nga ajo kohë.

Gjatë ditës, mediat vendore kanë raportuar po ashtu se kanë biseduar me babanë e Artanit, Mustafë Hajrizi, i cili citohet të ketë thënë se "Fatoni ia ka vjedhur pasaportën Artanit".

Asnjë nga këto pretendime nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet e Kosovës.

Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra penale në Kosovë, ishte arratisur ditë më parë nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë.

Ai ka histori të arratisjeve të shpeshta nga burgjet kosovare.

Hajrizi fillimisht është dënuar në janar të vitit 2000 për vrasjen e një ushtari rus në qendër të Skenderajt, kur ishte vetëm 15-vjeçar. Për këtë vrasje është dënuar me 6 vjet burgim.

Arrestimet për rastin

Ministri i Brendshëm serb po ashtu njoftoi se policia ka arrestuar Mithat Haxhiqin nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me veturë me targa të Tutinit.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Brendshme gjermane lidhur me këtë rast, por ky institucion ka thënë se nuk komenton rastet individuale.

Po ashtu, një person tjetër, sipas Daçiqit është është arrestuar në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës, lidhur me rastin.

Sipas tij, i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.

“Z. R. [1985] është arrestuar në Bijeljinë pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Sërpska i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë", thuhet në një komunikatë për media.

Ndërkaq, në Mlladenoc të Serbisë është arrestuar edhe gruaja e tij, e dyshuar si bashkëpunëtore.

Kurti: Të mos politizohet ky rast

Për vrasjen e policit serb është pyetur në një konferencë për media kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione.

Ai ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.

“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë Kurti në një konferencë për media në mëngjes.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.

Çfarë tha Ministria e Brendshme serbe?

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.

Policia serbe në Lloznicë, ku u vra një polic dhe u plagos një tjetër.
Policia serbe në Lloznicë, ku u vra një polic dhe u plagos një tjetër.

Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Vjekosllav Illiq në shpatull, dhe më pas ka ikur.

Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.

Në operacionet e kërkimit janë përfshirë dronë dhe helikopterë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG