Ndërlidhjet

Bie çatia e ndërtesës së komunës në Prishtinë, lëndohet një person


Shembja e çatisë në ndërtesën e Komunës së Prishtinës. 18 janar 2024.
Shembja e çatisë në ndërtesën e Komunës së Prishtinës. 18 janar 2024.

Një grua është lënduar pasi është goditur nga materialet e rënda që kanë rënë nga kulmi i ndërtesës së Komunës së Prishtinës, në lagjen Arbëria, të enjten. Nga Klinika Emergjente thanë se gjendja e saj është "stabile por e rëndë".

Pasi ka marrë ndihmës e parë nga një ekip i Qendrës së Mjekësisë Urgjente (QMU), pacientja është dërguar me shenja jete në Klinkën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë drejtori i QMU-së, Avdyl Pacolli, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Flitet për një qytetare, viti i lindjes 2000, e cila ka pësuar një politraumë. Përveç kësaj, e ka pësuar edhe një plagë në kokë. Ekipet tona kanë mbërritur për rreth gjashtë minuta në vendin e ngjarjes, pas thirrjeve nga qytetarët dhe policia, dhe më pas, porsa kanë arritur në vendin e ngjarjes, ekipet tona kanë filluar ta trajtojnë pacienten, realisht kanë arritur të bëjnë pastrimin e plagës, kanë arritur ta trajtojnë, sepse ajo është politraumë dhe mund të ketë fraktura të shumta”, tha Pacolli për REL-in.

“Kjo paciente është trajtuar në vendin e ngjarjes. Më pas, me autoambulancë, duke i dhënë serum, pacientja është përcjellë me shenja vitale të jetës deri në Klinikën Emergjente. Ajo është pranuar në emergjencë dhe në këtë institucion ka filluar me marrë trajtimin”, bëri të ditur Pacolli.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla i tha më vonë Radios Evropa e Lirë se gjendja e pacientes është “është e rëndë por stabile”.

“Gjendja është e rëndë sepse është një politraumë me shumë fraktura në pjesë të ndryshme të trupit. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme, por ende është në emergjencë, më vonë duhet të bëhen disa ekzaminime shtesë. Pastaj do të vendoset a ka nevojë për intervenim kirurgjik apo do të vazhdojë tretmanin në mjekim intensiv qendror”, tha Syla.

Incidentin te ndërtesa e komunës në Prishtinë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën 'Nora e Hotit', në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha policia në një përgjigje për REL-in.

Policia ka bërë të ditur se tashmë ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Të enjten vonë, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.

Zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj, i tha Radios Evropa e Lirë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë iniciuar hetimet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG