Në fund të “I See Red People” - një dokumentar i vitit 2018 për kërkimet e një vajze bullgare në të kaluarën komuniste të familjes së saj - nëna e regjisores qorton vajzën: “E vërteta ime nuk të përket ty”.
Marrëdhëniet midis regjisores Bojina Panayotova dhe nënës së saj, Milena Makarius, arrijnë në nivelin më të keq të mundshëm, për shkak të zbulimit se nëna ka qenë e listuar në arkivat shtetërore si bashkëpunëtore e policisë sekrete të epokës komuniste.
Tani, katër vjet pas publikimit të filmit, Makarius tregon anën e saj të rrëfimit me botimin e librit “The Janna Dossier” - një referencë kjo për emrin e koduar që i është dhënë nga mbikëqyrësi i saj në policinë sekrete, i njohur si Sigurimi Shtetëror i Bullgarisë.
“Libri nuk është vetëm përgjigje ndaj filmit, ai është provokuar nga filmi”, thotë Makarius për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë.
Në libër, Makarius, studiuese e letërsisë mesjetare franceze, e cila ligjëron në Universitetin Limoges në Francë, shkruan se ajo është duke kërkuar përgjigje në pyetjet që nuk ia ka bërë vetes para filmit të vajzës së saj - pyetje për veten dhe për njerëzit përreth.
Si 8-vjeçare në kohën e rënies së Murit të Berlinit, më 1989, Panayotova është zhvendosur në Francë, së bashku me nënën akademike dhe babanë piktor.
Duke u kthyer në Bullgari disa herë në vitet 2010, filmi dokumenton kërkimet e Panayotovas në të kaluarën e familjes së saj nën komunizëm dhe kulmon me zbulimin e dosjes së nënës së saj.
Duke qenë një temë shumë e ndjeshme në vendin ish-komunist, arkivat e policisë sekrete të Bullgarisë nuk janë hapur deri në vitin 2006 - shumë më vonë se në shumë vende fqinje të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Hapja e tyre është mirëpritur nga shumë njerëz, si mjet për zbardhjen e krimeve të kryera nën regjimin komunist. Por, të tjerë kanë pasur frikë se shumë njerëz mund të implikohen në mënyrë të rreme, kryesisht për shkak të zakonit të policisë sekrete për të rritur numrin e bashkëpunëtorëve dhe informatorëve.
Si studente në fund të viteve 1970 në Sofje, Makarius ka punuar si përkthyese, duke u takuar rregullisht me të huaj, sidomos në Ambasadën e Francës.
Mbikëqyrësi i saj - një burrë për të cilin Makarius thotë se ka menduar se është thjesht një mik i saj, me të cilin do të pinte kafe një herë në muaj - e ka regjistruar atë si bashkëpunëtore me emrin e koduar, Janna.
Në film, ish-polici sekret ka thënë se ka qenë normale për ta që “të shpiknin agjentë”, për të rritur rrjetin e bashkëpunëtorëve, së paku në letër.
“E neveritshme”, ka thënë Makarius në dokumentar, duke u shfaqur me dosjen e saj.
Dosja nuk përmban asgjë tjetër, as detaje, as kohë, as gjëra që Makarius mund të ketë bërë. Aty, thjesht, thuhet se ka qenë bashkëpunëtore, e rekrutuar për motive patriotizmi.
Megjithatë, nuk ka qenë vetëm ky zbulim befasues se nëna e saj mund të ketë qenë spiune, gjëja që ka çuar në tensione brenda familjes - ka qenë dëshira e pakursyer e Panayotovas për të kapur gjithçka në film, edhe kur e vërteta është e papëlqyeshme.
“Meqenëse këto zbulime janë bërë nga ne të dyja së bashku, unë kam qenë shumë e vetëdijshme se nëse tërhiqem [nga filmi], kjo gjë do të ishte… vetinkriminuese, do të dukej sikur kam faj”, thotë Makarius.
Nëna dhe vajza janë pajtuar që të mos takohen pa kamerën e ndezur, derisa të përfundojë filmi.
Por, në fund të filmit, Makarius ishte e lodhur, durimi i saj ishte para fundit dhe nuk donte të fliste me vajzën e saj në Skype, sepse kishte frikë se do të regjistrohej.
Babai i regjisores, i cili është i shkurorëzuar nga Makarius, e ka cilësuar vajzën e tij si fanatike dhe gjykuese, duke e krahasuar me një pionier legjendar komunist, që ka denoncuar babanë e tij në KGB.
"Meqenëse këto zbulime janë bërë nga ne të dyja së bashku, unë kam qenë shumë e vetëdijshme se nëse tërhiqem [nga filmi], kjo gjë do të ishte… vetinkriminuese, do të dukej sikur kam faj”-- Milena Makarius
Duke marrë pjesë në filmin e vajzës së saj, Makarius thotë se është detyruar të përballet me çështje që i ka shmangur më parë.
“Në kohën kur kam jetuar, gjatë socializmit, nuk kam menduar, sepse kam qenë e re dhe jam marrë me gjëra të tjera”, thotë ajo.
Pasi është zhvendosur në Francë, ajo ka harruar shpejt jetën e saj në Bullgari.
“Ua kam kthyer shpinën këtyre gjërave”.
“Ky film më ka bërë të kthehem në të kaluarën, tashmë plotësisht e vetëdijshme... dhe disi të rimendoj gjithçka”, thotë Makarius.
Për të, gjëja kryesore që është shfaqur gjatë krijimit të filmit dhe më vonë, kur ka shkruar librin, ka qenë frika.
“Nuk e kam ditur që jetoj me frikë”, thotë Makarius.
“Për herë të parë kam kuptuar se kam jetuar në një shoqëri, ku frika ka qenë pjesë e ajrit që kemi thithur. Është aq e pranishme saqë merret si e mirëqenë. Nuk e sheh, është brenda teje”, thotë ajo.
Krahas dosjes në Sigurimin e Shtetit, Makarius ka zbuluar edhe historitë e të afërmve të saj, që kanë vuajtur nga regjimi komunist - detaje për të cilat thotë se nuk i ka ditur më parë.
"Por, për të ecur përpara, brezi im duhet të përballet me të kaluarën, edhe nëse ajo na bën fëmijë të papërsosur dhe prindër të ofenduar"-- Bojina Panayotova
“Për një lexues, nuk është interesante të lexojë vetëm një histori tjetër të një viktime tjetër të regjimit totalitar, por do të ketë mundësinë të shohë se si dikush përballet me këto histori sot, si reflektojnë ato në ndërgjegjen e një gruaje si unë”, thotë Makarius.
Filmi - dhe libri i Makariusit - u japin dritë dallimeve në breza për mënyrën se si e konsiderojnë të kaluarën komuniste të Bullgarisë.
“E di që dosja është një gjurmë e kësaj kohe të nënshtrimit dhe gënjeshtrave”, i shkruan Panayotova nënës së saj në fund të filmit.
“Por, për të ecur përpara, brezi im duhet të përballet me të kaluarën, edhe nëse ajo na bën fëmijë të papërsosur dhe prindër të ofenduar”, thotë ajo.
“Jam befasuar kur kam parë se sa mirë është pritur [filmi] në Francë”, thotë Makarius.
“Një nga arsyet ka qenë jo ajo se njerëzit nuk kanë ditur për këtë vend dhe totalitarizmin, por pikërisht ky dimension [njerëzor], dialogu midis brezave”.
“Nuk mund të thuash se nëna ka të drejtë apo vajza ka të drejtë. Kjo ka ekzistuar gjithmonë, ndoshta është universale”, thotë ajo.
Në pjesë të ndryshme të librit, Makarius është kritike ndaj asaj që ajo e sheh si qasje ekstreme të vajzës së saj në të bërit film.
Ajo është ende e pavendosur rreth pyetjeve të së bijës. Në njërën anë, asgjë nuk duhet të fshihet, sepse brezat e ardhshëm do të mbeteshin në errësirë. “Nuk mund të ndërpritet transmetimi i kujtesës dhe historisë”, thotë ajo.
Megjithatë, nëse dikush, thjesht, “zbulon të vërtetën”, mund të jetë një barrë shumë e rëndë, thotë Makarius.
Ajo kujton tezën e Tsvetan Todorovit, një historian bullgar, filozof dhe kritik letrar, i cili ka thënë se, nëse njerëzit që kanë përjetuar pasojat më të këqija të totalitarizmit, do t’u tregonin fëmijëve të tyre atë që u ka ndodhur, fëmijët e tyre nuk do të kishin qenë në gjendje të jetonin jetën e tyre.
“Unë nuk mendoj se ka një përgjigje të vetme, por pyetja është interesante dhe ta bësh atë është e rëndësishme”, thotë Makarius.
Facebook Forum