Ndërlidhjet

Një e pesta e cigareve të konfiskuara në BE, me prejardhje nga Mali i Zi


Në maj të vitit 2022, në Portin e Barit u sekuestruan cigare në vlerë të dhjetëra milionë eurove.
Në maj të vitit 2022, në Portin e Barit u sekuestruan cigare në vlerë të dhjetëra milionë eurove.

Më shumë se 20 për qind e cigareve ilegale të konfiskuara vitin e kaluar në kufijtë e Bashkimit Evropian, e kishin prejardhjen nga Mali i Zi, bëri të ditur Zyra Evropiane kundër Mashtrimit (OLAF).

Nga 333 milionë cigaret e konfiskuara, për më shumë se 60 milionë, Mali i Zi ishte shënuar si “vend i origjinës”.

Kjo nënkupton katër herë më shumë se vitin paraprak, kur u konfiskuan 15 milionë, sipas raporteve vjetore të OLAF-it.

Po sipas OLAF-it, Mali i Zi ishte në vendin e tretë sa i përket konfiskimit të cigareve ilegale në vitin 2023 - pas Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Cigare të kontrabanduara. Fotografi nga arkivi.
Cigare të kontrabanduara. Fotografi nga arkivi.

Përse Mali i Zi, i cili është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat serioz për anëtarësim në BE, nuk arrin ta parandalojë kontrabandën e cigareve?

Ines Mërdoviq, nga Aksioni për Drejtësi Sociale në këtë vend, thotë se mungon vullneti politik.

“Kam frikë se mafia e duhanit ka treguar forcë të konsiderueshme në raport me shtetin e Malit të Zi”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Kontrabanda me cigare në Mal të Zi është e pranishme për më shumë se tri dekada.

“Tradita” e kontrabandës së cigareve që nga vitet ‘90

Filloi me vendosjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Jugosllavisë, në fillim të viteve ‘90, kur Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit ishte në pushtet.

Autoritetet e atëhershme, si dhe vetë Gjukanoviq, thoshin se bëhet fjalë për një punë tranzitore, por, sipas kritikëve, ishte kontrabandë shtetërore drejt Italisë dhe vendeve të tjera evropiane. Ata pretendonin se kontrabanda bëhej përmes Detit Adriatik me anije të shpejta.

Më 1999, hetime për kontrabandën e cigareve nga Mali i Zi në Itali bëri edhe drejtësia e Barit - qytet në jug të Italisë, i cili lidhet me rrugën më të shkurtër detare me Portin e Tivarit.

Hetimet përfshinë 15 shtetas italianë dhe malazezë - në mesin e tyre edhe Gjukanoviq, i cili atëkohë ishte kryeministër.

Dhjetë vjet më vonë, Prokuroria italiane për luftën kundër krimit të organizuar i tërhoqi akuzat kundër Gjukanoviqit, për shkak të imunitetit diplomatik.

Nga akuzat u liruan edhe shtetasit e tjerë malazezë.

Më 2020, DPS-ja humbi pushtetin pas tri dekadash.

Askush nga Qeveria e deriatëhershme nuk u dënua për organizim apo lidhje me kontrabandën e cigareve, edhe pse Qeveria e re paralajmëronte se do t’i ekspozonte të gjitha lidhjet mes mafies dhe asaj partie.

Problemi i Zonës së Lirë

Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për kontrabandimin e cigareve përmes Malit të Zi, duke e cilësuar Portin e Tivarit si “platformë për kontrabandimin e produkteve të falsifikuara, së bashku me ato të prodhuara ligjërisht, në BE”.

Në Portin e Tivarit gjendet e ashtuquajtura Zonë e Lirë, e cila është një zonë e përjashtuar nga territori doganor i një vendi, ku kryhen një sërë aktivitetesh ekonomike, si prodhim, magazinim apo shërbime transporti.

Zona e Lirë në Portin e Tivarit, prej vitesh, është cilësuar si vend i kontrabandës së cigareve, përmasat e të cilit janë vënë në dukje më shprehimisht nga zyrtarët britanikë.

Vetëm përmes Portit të Tivarit, çdo vit, kontrabandohen mbi dy miliardë cigare, që arrijnë në tregjet evropiane, ka deklaruar në mars të vitit 2022 ambasadorja e atëhershme britanike në Mal të Zi, Karen Maddox.

Sipas saj, vlerësimet kanë treguar se kontrabanda e cigareve u kushton ekonomive të Ballkanit Perëndimor më shumë se 300 milionë euro të ardhura të humbura në vit.

Në vitin 2022, në Zonën e Lirë u ndalua ruajtja e cigareve.

Pas një konfiskimi të madh të cigareve në Zonën e Lirë, në maj të atij viti, kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se kontrabanda e cigareve në këtë vend është klinikisht e vdekur.

Duke i përmendur gjetjet e OLAF-it për vitin 2023, Mërdoviq thotë se “kontrabanda e cigareve jo vetëm që nuk ka vdekur klinikisht, por nuk ka asnjë periudhë në të cilën ka qenë e vdekur klinikisht”.

“Faktet janë të pashmangshme”, sipas saj.

Të ardhura të dyfishta nga akciza

Në Ambasadën britanike në Mal të Zi shprehin, po ashtu, shqetësim për gjetjet e fundit të OLAF-it.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet se ambasada “është e shqetësuar në lidhje me rishfaqjen e mundshme të kontrabandës së duhanit në Mal të Zi”.

“Kjo nënvizon nevojën urgjente për të gjithë aktorët, përfshirë Qeverinë e Malit të Zi, autoritetet e zbatimit të ligjit dhe partnerët ndërkombëtarë, që t’i trajtojnë të gjitha dobësitë që i shfrytëzojnë grupet e organizuara kriminale”, thuhet në deklaratë.

Në ambasadë besojnë se vetëm një qasje sistematike mund t’i zbusë “këto incidente të përsëritura të sigurisë” në Portin e Tivarit.

“Andaj, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që ta ketë prioritet miratimin e Ligjit të ri për Zonat e Lira në muajt në vazhdim, si dhe t’i shqyrtojë iniciativat për rritjen e pranisë së doganierëve dhe të policëve në Portin e Tivarit”, thuhet në deklaratë.

Po sipas saj, Qeveria britanike bashkëpunon me Malin e Zi për të luftuar kontrabandën e cigareve, duke përfshirë sigurimin e pajisjeve dhe trajnimeve për zyrtarët në porte, aeroporte dhe kufij.

Çfarë thonë në Komisionin Evropian?

Në raportin e fundit, Komisioni Evropian përmendi ndalimin e magazinimit të produkteve të duhanit në Zonën e Lirë të Portit të Tivarit.

Sipas raportit, “kjo ka çuar në konfiskimin e një numri të paprecedentë cigaresh, që pronarët e tyre i kanë lënë në magazina”.

Megjithatë, thuhet se sasi të mëdha cigaresh janë zhdukur nga magazinat, përpara hyrjes në fuqi të ndalimit.

Në Bruksel kanë vlerësuar se në Portin e Tivarit ka ende rreth 1.500 tonë cigare, që presin të asgjësohen.

Një asgjësim në vitin 2022 ka përfunduar me arrestimin e drejtorit të atëhershëm të Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave në Mal të Zi, Rade Millosheviq.

Atëkohë, në praninë e kamerave pranë fabrikës Javorak në Nikshiq, është asgjësuar një pjesë e cigareve, ndërsa një kamion i ngarkuar me pako në vlerë prej një milion eurosh, të cilat po ashtu është dashur të asgjësohen, “ka dalë nga rruga”.

Një ekip i posaçëm i policisë e ka gjetur atë një ditë më vonë në mes të Podgoricës dhe Nikshiqit.

Ndërkohë, disa persona janë arrestuar, përfshirë Millosheviqin.

Deri më sot nuk ka asnjë epilog për këtë rast.

Në raportin për vitin 2023, BE-ja e ka kritikuar Malin e Zi për mungesën e vendimeve përfundimtare në rastet e kontrabandës së cigareve.

Aktakuza kundër dy ish-drejtorëve të policisë

Gjykata e Lartë në Podgoricë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për numrin e vendimeve për kontrabandën e cigareve.

As Prokuroria Speciale e Shtetit nuk tregoi se sa aktakuza janë ngritur.

Por, të dhënat e disponueshme në ueb-faqen e Prokurorisë tregojnë se këtë vit janë ngritur së paku tri aktakuza lidhur me kontrabandën e cigareve.

Në dy prej këtyre rasteve janë të përfshirë ish-drejtorë të policisë malazeze.

Në janar të këtij viti është ngritur një aktakuzë kundër 15 personave, përfshirë Vesellin Veloviqin, ish-drejtor i policisë dhe më vonë këshilltar i Gjukanoviqit gjatë mandatit të tij presidencial.

Ai është identifikuar si anëtar i një grupi të organizuar kriminal, i krijuar në vitin 2018, me qëllim kontrabandimin e cigareve nga Zona e Lirë e Portit të Tivarit dhe pastrimin e parave.

Veloviq, i cili është arrestuar në korrik të vitit 2023, akuzohet për shpërdorim të pozitës së tij, duke u komunikuar kontrabandistëve informacione të policisë nëpërmjet komunikimit të koduar.

Ai e ka mohuar fajësinë dhe është liruar për t’u mbrojtur nga arresti shtëpiak.

Aktakuzë është ngritur edhe kundër ish-drejtorit tjetër të policisë, Sllavko Stojanoviq - po ashtu për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Stojanoviq është arrestuar në nëntor të vitit të kaluar.

Në aktakuzë thuhet se ai, pasi ka marrë vesh se kamioni i shokut të tij me cigare është ndaluar në Podgoricë pa dokumentacionin e nevojshëm, ka urdhëruar policinë që ta lirojë atë.

Në maj të vitit 2021, Prokuroria Speciale e Shtetit të Malit të Zi ka njoftuar se ka iniciuar disa procedura penale për kontrabandë me cigare dhe se shuma e shmangies së taksave, akcizave dhe detyrimeve doganore në ato raste arrin në mbi 70 milionë euro.

Rezultati i këtyre procedurave nuk dihet.

Për Mërdoviqin, problemi është te gjykatat. Sipas saj, është vështirë të pritet që të ketë gjykime të formës së prerë, marrë parasysh gjendjen e gjyqësorit, të cilën e vlerëson si “të kalbur”.

“Nuk është reale të presim gjykime në një të ardhme të parashikueshme. Edhe nëse i kemi, kam frikë se nuk do të jenë aq të rrepta sa ta parandalojnë kontrabandën në të ardhmen”, thotë Mërdoviq.

Ku është zgjidhja?

Mërdoviq thotë se zgjidhja qëndron në procesin e vetingut, jo vetëm në gjyqësor, por edhe në shërbimet doganore dhe policore.

Gjithçka në këtë vend duket se i shmanget drejtësisë".

Vetingu është një proces, i cili përfshin kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve, prokurorëve dhe familjarëve të tyre, lidhjen e mundshme të tyre me krimin, si dhe vlerësimin e kualifikimeve të tyre profesionale.

“Pa veting, thjesht, nuk do të kemi rezultate që kërkohen nga Bashkimi Evropian”, thotë Mërdoviq.

Ajo shton se ka procese gjyqësore në fushën e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, të cilat shtyhen shumë herë.

“Gjithçka në këtë vend duket se i shmanget drejtësisë”, thotë ajo.

E pyetur se si të zgjidhet problemi, Mërdoviq thotë se “vullneti politik është një nga parakushtet kryesore, sepse mekanizmat ekzistojnë”.

Aktualisht, nuk dihet se sa cigare gjenden në Zonën e Lirë të Portit të Tivarit.

As pas një jave, Qeveria e Malit të Zi nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse Trupi i saj Koordinues për Inventarizimin e Mallrave të Konfiskuara në Zonën e Lirë të Portit të Tivarit, ka bërë inventarizimin e cigareve të konfiskuara dhe ka propozuar ndonjë masë për asgjësimin e tyre.

Këtë trup e kryeson kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.

Shërbimi i Qeverisë ia ka përcjellë pyetjet e Radios Evropa e Lirë zëvendëskryeministrit Momo Koprivica, i cili nuk ka kthyer përgjigje.

Në seancën e parë të muajit mars të këtij viti, Trupi Koordinues është zotuar se procedura e inventarizimit dhe asgjësimit të mallrave në Zonën e Lirë do të jetë sa më transparente.

Në atë seancë është thënë se Qeveria e Malit të Zi ka vullnet të fortë për ta eliminuar deri në fund kontrabandën.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG