Ndërlidhjet

Një dekadë nga nisja e konfliktit në Siri


Tym mbi qytetin Ariha në provicën e Idlibit, pas një sulmi ajror nga forcat e presidentit, Bashar al-Assad. 5 shkurt, 2020.
Tym mbi qytetin Ariha në provicën e Idlibit, pas një sulmi ajror nga forcat e presidentit, Bashar al-Assad. 5 shkurt, 2020.

Sirianët po shënojnë dhjetëvjetorin e fillimit të protestave paqësore kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, që nxitën një kryengritje popullore e cila më pas u përshkallëzua në një luftë të plotë civile.

Presidenti Assad mbetet në pushtet, pavarësisht një dekade të luftimeve dhe ndarjes së vendit, shkruan agjencia Associated Press. Nga aspekti ekonomik, Siria është e shkatërruar. Vendi është ndarë një tri pjesë. Një grup i lidhur me al-Kaidën dominon provincën veriperëndimore të Idlibit, me rebelët e mbështetur nga Turqia që kontrollojnë vijën përgjatë kufirit turk. Forcat kurde siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, mbajnë rreth një të katërtën e vendit në verilindje. Pjesën tjetër e kontrollojnë forcat e presidentit sirian, Assad.

Lufta ka lënë të vrarë rreth gjysmë milioni njerëz. Gjysma e popullsisë prej 23 milionë banorësh – sa ka pasur Siria – është zhvendosur, përfshirë më shumë se pesë milionë refugjatë, të cilët kanë kërkuar strehim në shtetet fqinje.

Por, si nisi konflikti? Cilat ishin ngjarjet kryesore që shënojnë luftën civile në Siri? Ju sjellim të përmbledhura përmes disa datave kryesore:

  • Mars, 2011: Një grup personash u ndaluan pasi kishin vendosur mbishkrime anti-qeveritare në murin e shkollës së tyre në qytetin Dara. Ndalimi i tyre ngjalli protesta. Më 15 mars, një tubim u mbajt edhe në pjesën e qytetit të vjetër në kryeqytetin Damask. Më 18 mars, katër njerëz u vranë pasi forcat e sigurisë qëlluan ndaj protestuesve në Dara. Aktivistët thanë se këto ishin viktimat e para të kryengritjes. Pas kësaj ngjarjeje, protestat u përhapën në gjithë vendin, sikurse edhe shtypja nga ana e forcave të sigurisë.
  • Prill, 2011: Në qytetin e tretë më të madh të Sirisë, Homs, policia sulmoi mijëra protestues, të cilët u përpoqën të krijonin një atmosferë proteste sikurse në sheshin Tahrir të Kajros. Ky shesh ishte epiqendra e protestave kundër sunduesit të atëhershëm të Egjiptit, Hosni Mubarak.
  • 18 qershor, 2012: Në Damask, gjatë një mbledhjeje të zyrtarëve të nivelit të lartë ku po trajtohej kriza në vend, shpërtheu një bombë nga e cila mbetën të vrarë katër zyrtarë, përfshirë kunatin e presidentit Bashar al-Assad si dhe ministrin e Mbrojtjes të Sirisë.
  • Korrik, 2012: Luftimet e kryengritësve kundër forcave qeveritare përhapen edhe Alepo, qytetin më të madh të Sirisë dhe njëherësh kryeqendra tregtare e vendit.
  • 20 gusht, 2012: Presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, duke folur për situatën në Siri tha se përdorimi i armëve kimike në konflikt, do të ishte një "vijë e kuqe", e cila do ta ndryshonte kalkulimin e tij për ndërhyrje në luftën civile.
  • 19 mars, 2013: Qeveria siriane dhe opozita bën akuza të ndërsjella për sulmin me gaz, që la të vrarë 26 persona në qytetin verior, Khan al-Assal. Më vonë Organizata e Kombeve të Bashkuara zhvilloi një hetim për këtë rast dhe erdhi në përfundimin se ishte përdorur gazi nervor sarin. Megjithatë, OKB-ja nuk e emëroi fajtorin për përdorimin e tij.
  • Maj, 2013: Grupi militant Hezbollah i Libanit, zyrtarisht përfshihet në konfliktin sirian në mbështetje të Assadit, duke sulmuar dhe vendosur nën kontroll më vonë qytetin kufitar, Kusair.
  • 21 gusht, 2013: Nga një sulm kimik në lindje të Damaskut vriten qindra persona. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende tjera fajësojnë për sulmin forcat qeveritare siriane. Presidenti Obama kërcënon me sulme, por më vonë tërhiqet.
  • 27 shtator, 2013: Këshilli i Sigurimit i OKB-së urdhëron Sirinë të japë përgjegjësi për sulmet dhe të shkatërrojë rezervat e saj të armëve kimike. Masa e Këshillit të Sigurimit erdhi pas një marrëveshje të befasishme midis Uashingtonit dhe Moskës që shmangu sulmet e SHBA-së.
  • 14 tetor, 2013: Siria nënshkruan Konventën për Armët Kimike, sipas së cilës vendit i ndalohet prodhimi dhe përdorimi i armëve kimike.
  • 23 qershor, 2014: Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike njoftoi se ka larguar edhe sasinë e fundit të armëve kimike të Qeverisë siriane. Por, zyrtarët e opozitës siriane thanë se rezervat e armëve kimike të qeverisë nuk ishin llogaritur plotësisht dhe se ajo ende posedonte sasi të tyre.

Video nga arkivi:

  • 30 qershor, 2014: Grupi i Shtetit Islamik (IS) shpall të ashtuquajturin kalifat në zonat që kontrollonte në Irak dhe Siri. Në këtë periudhë përshkallëzohet kriza e refugjatëve.
  • 23 shtator, 2014: Shtetet e Bashkuara fillojnë sulmet ajrore ndaj caqeve të grupit militant IS në Siri.
  • 28 mars, 2015: Qyteti Idlib në veriperëndim të Sirisë bie nën kontrollin e militantëve islamikë të udhëhequr Fronti Al-Nusra, një organizatë e lidhur me Al-Kaidën.
  • 6 maj, 2015: Presidenti sirian Assad pranon se ushtria e tij po përballet me vështirësi serioze.
  • 2 shtator, 2015: Në një plazh në Turqi gjendet trupi i 3-vjeçarit Aylan Kurdi. Fotografia që u shpërnda me shpejtësi në tërë botën, ngjalli vëmendjen për gjendjen e refugjatëve sirianë, të cilët po përballeshin me vështirësi e rreziqe të shumta për të arritur në vendet evropiane.
Turqi - Trupi i pajetë i sirianit, Aylan Kurdi (Alan), në brigjet turke të qytetit Bodrum.
Turqi - Trupi i pajetë i sirianit, Aylan Kurdi (Alan), në brigjet turke të qytetit Bodrum.
  • 30 shtator, 2015: Rusia fillon operacionin e sulmeve ajrore në Siri në mbështetje të forcave të Assadit.
  • Gusht, 2016: Forcat turke hyjnë në veri të Sirisë Veriore, duke vënë nën kontroll zona përgjatë kufirit, të cilat mbaheshin nga grupi Shteti Islamik.
  • Dhjetor, 2016: Pas një ofensive të forcave qeveritare siriane të mbështetura nga rusët, kryengritësit sirianë tërhiqen nga pjesët lindore të Alepos të kontrolluara nga rebelët.
  • 4 prill, 2017: Në qytetin Khan Sheikhoun të Idlibit që kontrollohej nga rebelët, vriten të paktën 58 persona. Mjekët thanë se vrasja e tyre mund të jetë bërë përmes një sulmi me gaz nervor. Dëshmitarët thanë se avionët rusë ose sirianë kryen sulmin. Moska dhe Damasku mohuan përgjegjësinë.
  • 6 prill, 2017: Shtetet e Bashkuara sulmojnë Sirinë me një breshëri raketash, në përgjigje të incidentit në Khan Sheikhoun. Ky ishte sulmi i parë i drejtëpërdrejtë amerikan kundër forcave të Qeverisë siriane.
  • Maj, 2017: Rebelët tërhiqen nga zona e fundit që kontrolluan në Homs. Ky qytet dikur quhej edhe kryeqyteti i revolucionit.
  • 20 janar, 2018: Në enklavën veriore të Afrinit, Turqia fillon një operacion të madh ushtarak kundër luftëtarëve kurdë sirianë.
  • Prill, 2018: Forcat e Qeverisë siriane marrin nën kontroll të gjitha rrethinat e Damaskut duke i ofruar një lloj sigurie pushtetit të Assadit.
  • 14 prill, 2018: Në rrethinat e Damaskut u pretendua se sërish është kryer sulm kimik. Aktivistët thanë se mbi 40 persona u vranë. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca kryen sulme ushtarake në Siri, kundër forcave të Assadit, si ndëshkim për vdekjen e këtyre personave.
  • 10 tetor, 2019: Pas tërheqjes së trupave amerikane, Turqia filloi një ofensivë tokësore kundër luftëtarëve kurdë në veri të Sirisë.
  • 5 mars, 2020: Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, thanë se kanë arritur një marrëveshje për armëpushim në veriperëndim të Sirisë. Luftimet në këtë zonë kishin rritur mundësinë e një konflikti të forcave ruse dhe atyre turke. Armëpushimi gjithashtu ndaloi një sulm qeveritar sirian të mbështetur nga Rusia në Idlib, bastioni i fundit i rebelëve.
  • 17 qershor, 2020: Hyjnë në fuqi sanksionet e Shteteve të Bashkuara për ata që mbështesin përpjekjet ushtarake siriane në luftime. Sanksionet e reja mund të përdoren për të shënjestruar mbështetësit kyçë të Assadit: Rusinë, Iranin dhe grupin militant të Libanit, Hezbollah.
Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG