Vala e parë e sanksioneve të ashpra që Shtetet e Bashkuara kanë vënë në Iran, ka nisur së zbatuari në mesnatën e 7 gushtit, derisa Uashingtoni dhe Teherani vazhdojnë të shkëmbejnë paralajmërime për këto masa.
Sanksionet synojnë të ndalojnë qasjen e Iranit në dollarin amerikan dhe të dëmtojnë industritë kryesore iraniane, duke përfshirë makina, aeroplanë dhe qilima persianë.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka nisur një paralajmërim të ashpër ndaj çdokujt që bashkëpunon në tregti me Iranin, pas zbatimit të sanksioneve amerikane në këtë shtet.
“Kushdo që bën biznes me Iranin nuk do të ketë bashkëpunim tregtar me Shtetet e Bashkuara. Jam duke kërkuar paqe në botë, asgjë më pak", është shprehur Trump përmes një postimi në Twitter.
Uashingtoni ka pretenduar se iranianët veçse janë duke u përballur me probleme ekonomike si pasojë e sanksioneve, duke përmendur përgjysmimin e vlerës së valutës iraniane, prej kur presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për largimin e Shteteve të Bashkuara nga pakti bërthamor i vitit 2015 që Irani ka me fuqitë botërore.
Duke e cilësuar marrëveshjen si “të tmerrshme dhe të njëanshme, e cila ka dështuar të përmbushë synimin kryesor të bllokimit të të gjithave rrugëve të bombave bërthamore iraniane”, Trump ka ofruar edhe një herë të negociojë, atë që e ka quajtur pakt më të mirë nëse do të bisedonte drejtpërdrejt me liderët e Teheranit.
“Unë jam i hapur për të arritur një pakt më gjithëpërfshirës që adreson të gjithë rangun e aktiviteteve të dëmshme të regjimit, duke përfshirë programin e raketave balistike dhe mbështetjen për terrorizëm”, është shprehur Trump.
Mirëpo kjo kërkesë është refuzuar menjëherë nga presidenti iranian, Hassan Rohani, i cili ka thënë në televizionin shtetëror se një gjë e tillë “nuk ka kuptim”.
“Nëse jeni armik dhe therni personin tjetër me thikë dhe më pas deklaroni se kërkoni negociata, gjëja e parë që duhet të bëni është që të largoni thikën”, ka thënë ai.
Irani nis stërvitje të mëdha detare në prag të sanksioneve të SHBA-së
Pavarësisht largimit të SHBA-së nga pakti bërthamor, Rohani ka thënë se Irani do të vazhdojë të zbatojë marrëveshjen, e cila parasheh largimin e sanksioneve për Iranin, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.
Pakti në fjalë është nënshkruar nga Bashkimi Evropian, Rusia, Kina dhe partnerë tjerë tregtarë.
“Pavarësisht sanksioneve, ne do të dëshmojnë se zbatojmë marrëveshjet dhe fjalën tonë ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Premtimi i Iranit për zbatim të marrëveshjes bërthamore është përshëndetur nga Bashkimi Evropian, i cili më 6 gusht ka prezantuar një “status bllokues”, i cili ka për qëllim mbrojtjen e bizneseve evropiane nga ndalesat që mund të rezultojnë si pasojë e rivendosjes së sanksioneve amerikane.
“Ne jemi të vendosur për të mbojtur operatorët ekonomikë evropianë, të cilët janë të lidhur me biznes legjim në Iran”, ka deklaruar shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Pavarësisht ligjit bllokues dhe masave të tjera të marra nga BE-ja, me qëllim të inkurajimit të vazhdimit të të bërit biznes me Iranin, qindra kompani evropiane dhe aziatike kanë njoftuar se do të largohen nga tregu iranian.
Për më shumë, kthimi i sanksioneve ka rritur tensionet brenda Iranit, me mbajtjen e protestave në disa qytete dhe vendbanime tjera për shkak të rënies së vlerës së valutës, problemeve me ujë, çmimeve të larta dhe dyshimet për sistem politik të korruptuar.
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka thënë se reagimi global për vendimin e Trumpit ka treguar se Uashingtoni dhe jo Teherani është vendi që është “izoluar” në aspektin diplomatik.
Ai ka pranuar se sanksionet “mund të shkaktojnë përçarje” në ekonominë e Iranit dhe ka pretenduar se ata janë duke “rrezikuar iranianët e thjeshtë”.
Vala aktuale e sanksioneve prek sektorin e automjeteve, qilimave, eksporteve të ushqimit, importit të alumininit, çelikut, thëngjillit dhe pajisjeve softuerike.
Iranit po ashtu do t’i ndalohet blerja e disa aeroplanëve.
Vala e dytë e sanksioneve amerikane, e cila fillon së zbatuari më 5 nëntor, synon të bllokojë sektorin e naftës iraniane, e cila është tejet e rëndësishme për rritje ekonomike.
Disa blerës të naftës iraniane duke përfshirë, Kinën, Indinë dhe Turqinë kanë thënë se nuk planifikojnë të ndalojnë funizimin e tyre me naftë nga Irani.