Ndërlidhjet

Nis gjyqi ndaj basketbollistes amerikane të arrestuar në Moskë


Brittney Griner, basketbollistja amerikane e arrestuar në aeroportin e Moskës, rrezikon deri në 10 vjet burg nëse shpallet fajtore.
Brittney Griner, basketbollistja amerikane e arrestuar në aeroportin e Moskës, rrezikon deri në 10 vjet burg nëse shpallet fajtore.

Basketbollistja amerikane Brittney Griner u paraqit në seancën gjyqësore të së premtes në Moskë, pas më shumë se katër muajsh që kur u arrestua në aeroport me akuzën e trafikimit të kanabisit.

Griner u arrestua në shkurt në aeroportin Sheremetyevo të Moskës. Sipas policisë ajo po transportonte cigare elektrike me vaj kanabisi. Basketbollistja e “Phoenix Mercury” dhe dy herë fituesja e medaljes së artë olimpike rrezikon deri në 10 vjet burg nëse dënohet për trafikim të lëndëve narkotike.

Më pak se 1 për qind e të pandehurve për çështje penale shpallen të pafajshëm në Rusi dhe ndryshe nga SHBA-ja, vendimet e pafajshmërisë mund të anulohen.

Në një seancë me dyer të mbyllura që u zhvillua të hënën në Moskë, periudha e paraburgimit e Griner u zgjat edhe për gjashtë muaj të tjerë.

Arrestimi dhe gjyqi i sportistes amerikane vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit janë në pikën e tyre më të ulët. Griner u arrestua më pak se një muaj para se Rusia të dërgonte trupat në Ukrainë, çka rriti edhe më shumë tensionet mes dy shteteve.

Pushtimi solli sanksione të shumta të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndërkohë që Rusia dënoi dërgimin e armëve në Ukrainë nga ana e SHBA-së.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi të premten që arrestimi dhe gjyqi ndaj Griner po ndikohej nga situata aktuale politike mes dy vendeve..

“Faktet janë që sportistja e famshme u ndalua pasi iu gjendën medikamente të ndaluara që përmbanin substanca narkotike”, deklaroi Peskov për gazetarët. “Duke marrë parasysh këto fakte, nuk ka se si të jetë e motivuar politikisht,”shtoi ai.

Mbështetësit e Griner shpresonin që çështja të zgjidhej pa shumë bujë, deri para muajit maj, kur Departamenti Amerikan i Shtetit e ri-klasifikoi atë “një person të ndaluar padrejtësisht” dhe duke e kaluar çështjen e saj tek krye-negociatori i qeverisë amerikane.

Bashkëshortja e Griner, Cherelle, i ka bërë thirrje Presidentit Joe Biden që të mundësojë lirimin e saj, duke e quajtur rastin si një “burgosje politike”.

“Mu bë qejfi që e pashe në disa pamje, por është shumë e vështirë. Çdo herë na kujtohet që mikesha jonë, kolegia jonë është e burgosur padrejtësisht në një shtet tjetër,” deklaroi trajnerja e Phoenix Mercury, Vanessa Nygaard.

Ajo shpreson se Biden do të mund të “ndërmarrë hapa që të sigurohet që ajo të kthehet në shtëpi.”

Mbështetësit e Griner kanë kërkuar që ajo të përfshihet në një shkëmbim të burgosurish si rasti i veteranit Trevor Reed, i cili në prill u shkëmbye me një pilot rus të dënuar për trafik droge.

Mediat ruse kanë spekuluar së fundmi që ajo mund të shkëmbehet me tregtarin rus të armëve, Viktor Bout, i ashtuquajturi “tregtari i vdekjes”, i cili po vuan një dënim prej 25 vitesh në SHBA.

I pyetur të dielën nga CNN, nëse po merrej ne konsideratë një shkëmbim midis Griner dhe Bout sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken evitoi të përgjigjej.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG