Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, doli para një gjykate në Nju Jork të hënën, për t’u përballur me akuzat për mashtrim financiar.
Trump e quajti të “rrejshëm” rastin gjyqësor ndaj tij, duke thënë se synimi i këtij rasti është parandalimi i kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Gjyqi për mashtrim, njëri nga disa betejat ligjore kundër 77-vjeçarit, mund të ndikojë që ish-presidentit t’i ndalohet bërja biznes në shtetin e Nju Jorkut.
“Kjo ka të bëjë me ndërhyrje në zgjedhje, kaq e thjeshtë është”, tha Trump teksa mbërriti në gjykatë për seancën hapëse në një gjyq që mund të zgjasë tre muaj.
“Ajo çfarë po ndodh këtu është përpjekje për të më dëmtuar mua në zgjedhje”, shtoi ai.
Gjykatësi i Nju Jorkut, Arthur Engoron, i ka shpallur tashmë Trumpin dhe djemtë e tij, Eric dhe Don Jr, fajtorë për mashtrim duke i fryrë vlerat e patundshmërisë dhe aseteve financiare të Organizatës Trump për vite të tëra.
Prokurorja e Nju Jorkut, Letitia James, po kërkon ndëshkime në vlerë 250 milionë për Trumpin dhe përjashtimin e tij dhe djemve të tij nga udhëheqja e perandorisë familjare të biznesit.
“Drejtësia do të triumfojë”, tha James para gazetarë.
“Nuk ka rëndësi sa i fuqishëm je, nuk ka rëndësi sa shumë para mendoni se mund të keni, askush nuk është mbi ligjin”, tha ajo.
Duke mbërritur në gjykatë, Trumpi e cilësoi rastin ndaj tij si të “rrejshëm” dhe “gjueti shtrigash”.
“Ky është i rrejshëm. Deklaratat e mia financiare janë fenomenale”, nguli këmbë Trumpi.
Trumpi do të dalë para gjykatës federale në Uashington më 4 mars 2024, nën akuzat se kishte tentuar ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden.
Ai do të kthehet pastaj në gjykatën e Nju Jorkut, këtë herë për t’u përballur me akuzat se e kishte paguar një yll të pornografisë për të heshtur, dhe më pas në gjykatën federale të Floridës, ku akuzohet se i kishte keqpërdorur dokumentet e klasifikuara pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë.
Dhe në fund, Trumpi do të përballet me akuza për përpjekjet e tij për ta kthyer në favorin e vet rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias.