Ndërlidhjet

Nigeri përgatitet për luftë kundër vendeve rajonale, tri javë pas puçit


Përkrahësit e liderëve të puçit të Nigerit marrin pjesë në një tubim në kryeqytet, Niamey.
Përkrahësit e liderëve të puçit të Nigerit marrin pjesë në një tubim në kryeqytet, Niamey.

AP

Qytetarët e Nigerit janë duke u përgatitur për luftë kundër vendeve rajonale që kanë kërcënuar me pushtim, tri javë pasi ushtria kryengritëse e vendit e rrëzoi nga pushteti presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Banorët në kryeqytetin Niamej po bëjnë thirrje për rekrutim masiv të vullnetarëve për ta ndihmuar ushtrinë mes kërcënimeve të vazhdueshme nga blloku rajonal i Afrikës Perëndimore, i njohur si ECOWAS, i cili thotë se do ta përdorë forcën ushtarake nëse junta nuk e kthen në pushtet presidentin Mohamed Bazoum.

ECOWAS-i e ka lënë në gatishmëri një forcë ushtarake për ta rivendosur rendin në Niger, pasi junta e shpërfilli afatin për lirim dhe kthimin e Bazoumit në pushtet.

Kjo iniciativë, e udhëhequr nga një grup i vendorëve në Niamej, ka për qëllim t’i rekrutojë dhjetëra mijëra vullnetarë nga i gjithë vendi, për t’u regjistruar në Vullnetarët për Mbrojtjen e Nigerit, për të luftuar, ndihmuar me kujdes mjekësor, dhe për të ofruar logjistikë teknike dhe inxhinierike përveç gjërave të tjera, në rast se junta ka nevojë për ndihmë, tha për Associated Press Amsarou Bako, njëri nga bashkëthemeluesit.

“Është eventualitet. Ne duhet të jemi të gatshëm çfarëdo që të ndodhë”, tha Bako.

Rekrutimi do të fillojë të shtunën në Niamej, si dhe në qytetet e tjera ku mund të futen forcat pushtuese, si në afërsi të kufijve me Nigerinë dhe Benin, dy vende, të cilat kanë thënë se do të marrin pjesë në ndërhyrjen ushtarake.

Kushdo mbi moshën 18-vjeçare mund të regjistrohet dhe lista me vullnetarë do t’i jepet juntës për t’i thirrur ata nëse është e nevojshme, tha Bako. Junta nuk është e përfshirë, por është e vetëdijshme për këtë iniciativë, shtoi ai.

Tensionet rajonale janë rritur, pasi mosmarrëveshja mes Nigerit dhe ECOWAS-it nuk ka treguar shenja përmirësimi, megjithëse të dy palët kanë lënë të kuptohet se janë të hapura për ta zgjidhur krizën në mënyrë paqësore.

Javën e kaluar, junta tha se është e hapur për dialog me ECOWAS-in, por pak më vonë e akuzoi Bazoumin për “tradhti të lartë” dhe e tërhoqi ambasadorin e vet nga shteti fqinj, Bregu i Fildishtë.

Është e paqartë se kur dhe nëse ECOWAS-i do të ndërhyjë ushtarakisht, por nëse do ta bëjë, atëherë pushtimi do të përfshinte disa mijëra trupa dhe do të kishte pasoja shkatërruese, thonë ekspertët e konfliktit.

“Një ndërhyrje ushtarake që nuk duket se ka fund, rrezikon shkaktimin e luftës rajonale, me pasoja katastrofike për shumicën e Sahelit, i cili është i goditur tashmë nga pasiguria, zhvendosja dhe varfëria”, tha Mucahid Durmaz, analist i lartë në Verisk Maplecroft, kompani e inteligjencës për rrezik global.

Nigeri shihej si njëri prej vendeve të fundit demokratike në rajonin e Sahelit, në jug të Shkretëtirës së Saharës, dhe partner i vendeve të Perëndimit, në përpjekje për ta ndalur dhunën e vazhdueshme xhihadiste të Al-Kaidës dhe grupit militant, Shteti Islamik.

Franca, ish-sunduese koloniale e Nigerit, dhe Shtetet e Bashkuara, i kanë nga rreth 2.500 trupa ushtarake në rajon, të cilat e stërvitin ushtrinë e Nigerit dhe, në rastin e Francës, kryejnë operacione të përbashkëta.

Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Niger, Kathleen FitzGibbon, pritet të mbërrijë në Niamej në fund të javës, sipas një zyrtari amerikan. Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur ambasador në këtë vend qe gati dy vjet; disa ekspertë të Sahelit thonë se kjo e ka lënë Uashingtonin me më pak qasje ndaj informacioneve dhe lojtarëve kyçë.

“SHBA-ja është në një situatë të vështirë me zgjidhje jo të mira. Ose do ta mbajë qëndrimin parimor dhe të bëjë trysni për demokraci duke e asgjësuar juntën dhe duke rrezikuar ta çojë atë në duart e Rusisë, ose do të heqë dorë nga parimet dhe do të punojë me juntën me shpresë për ta krijuar një marrëdhënie produktive dhe funksionale”, tha Michael Shurkin, nga Këshilli Atlantik.

Derisa vendet e perëndimore po mendojnë si të përgjigjen, qytetarët e Nigerit janë të bindur se do të pushtohen së shpejti.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG