Ndërlidhjet

Aktakuzë ndaj një të dyshuari për përfshirje në vrasjen e 16 civilëve më 1999


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) njoftoi më 15 shtator se ka ngritur aktakuzë kundër një të pandehuri me inicialet E.B, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e 16 civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Prokuroria tha se ai dyshohet se e kreu krimin në bashkëpunim me disa persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe në fshatin Staradran në komunën e Istogut, më 8 maj 1999.

“Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme”, njoftoi PSK-ja.

I dyshuari ndodhet po mbahet në paraburgim me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës, njoftoi ajo.

Ai akuzohet për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.

Më herët gjatë ditës, PSK-ja njoftoi se ngriti aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet S.F, për veprën penale krime lufte.

I dyshuari, sipas Prokurorisë Speciale, ishte pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë në kohën kur dyshohet se e kreu krimin në vitin 1998, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

PSK-ja tha se ai, bashkë me dy zyrtarë të tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë me forcë në veturën e tyre një mjek me inicialet H.Sh në vitin 1988 në rrugën Drenas-Prishtinë, dhe e “kishin dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë.”

Me këto veprime, i pandehuri në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale ‘’krime lufte kundër popullatës civile’’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së, njoftoi Prokuroria.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG